Komiteti Olimpik i Italisë: Serie A duhet të ketë plan të dytë për rinisjen e sezonit

  • 20 maj 2020 - 16:27
 Komiteti Olimpik i Italisë: Serie A duhet të ketë plan të dytë për rinisjen e sezonit

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar të Italisë, Giovani Malago, ka thënë se Serie A duhet ta bëjë gati edhe një plan të dytë për rinisjen e sezonit, përkundër që e di që ndryshimi i formatit nuk është ide e pëlqyeshme për të gjithë.

Përderisa Serie A po punon për ta gjetur një zgjidhje për rinisjen e kampionatit, kreu i Komitetit Olimpik të Italisë insiston se drejtuesit e ligës duhet të punojnë në gjetjen e alternativave në rast emergjence.

“Që disa muaj kam insistuar që ne duhet ta kemi synim rinisjen e kampionatit, por meqenëse është e pamundur të bëhet parashikime afatgjate, duke i pasur parasysh rrethanat aktuale, ne duhet ta kemi edhe një plan të dytë”, ka thënë Malago për Gazzetta dello Sport.

“Të mos e kesh një plan të dytë është gabim. Po jua jap një shembull: nesër do të shkojmë me anije nga Napoli në Korsika sepse deti është i qetë, por pas disa miljeve kjo situatë ndryshon. Ne duhet të kemi plan ose të kthehemi ose ta ndryshojmë rrugën”.

“Arritja atje është zgjidhja e vetme. Autoritetet duhet të kenë alternativa. Jashtë Italisë, kampionatet ose janë mbyllur përfundimisht, ose kushdo që ka vendosur t’i rinisë, ka siguruar gjithçka në rast të një ndalese tjetër”.

“Unë po flas për marrëveshje mes autoriteteve të ndryshme të futbollit dhe transmetuesve të ndeshjeve”.

Serie A dëshironte të rinisë më 13 qershor, mirëpo dekreti i ri i qeverisë italiane i ka përjashtuar ndeshjet sportive deri më 14 qershor dhe njëra ndër alternativat mund të jetë të kompletohet sezoni në një format tjetër – si play-offs.

“Nëse numri i të infektuarve të rinj me koronavirus mbetet i ulët, mendoj se ne nuk do ta kemi problem të rinisim pak ditë më parë”, shtoi Malago.

“Unë kam lexuar për hipotezat e ndryshme dhe e kuptoj se jo të gjithë pajtohen. Unë dua ta bëj të qartë se Komitetit Olimpik Kombëtar të Italisë i intereson vetëm se a do të mundë futbolli, ose më mirë të them Serie A, t’i zgjidhë problemet”.

(Kosova Sot Online)