“Nëse federatat dhe klubet i përmbahen udhëzimeve dhe këshillave të OBSH, mund të vendosin të fillojnë me stërvitje”

  • 01 qershor 2020 - 23:18
 “Nëse federatat dhe klubet i përmbahen udhëzimeve dhe këshillave të OBSH, mund të vendosin të fillojnë me stërvitje”

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, gjatë ditës së sotme ka pasur një agjendë të ngjeshur të bisedave telefonike, duke biseduar me ministrin e Shëndetësisë (MSH), Arben Vitia, ministren për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), Vlora Dumoshi, drejtuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (IKSHPK), Naser Ramadani dhe Lulë Raka.

Presidenti Hasani shprehu shqetësimin e madh të KOK-ut dhe federatave sportive, të cilat ishin në pritje që sot më 1 qershor të nisin edhe aktivitetet sportive.

Sipas presidentit Hasani, të gjithë bashkëbiseduesit konsiderojnë se nëse drejtuesit e federatave, klubeve, trajnerët e sportistët dhe zyrtaret tjerë marrin përgjegjësinë dhe respektojnë: Këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisëm, udhëzuesin për përmbajtje ndaj rekomandimeve të MSH/IKSHPK dhe protokollin e përgjithshëm, instruksionet e Federatave Ndërkombëtare, se si duhet mbajtur stërvitjet nën kushtet e rrezikut nga Covid-19, mund të vendosin të fillojnë me stërvitje pa pritur vendime nga të lartëpërmendurit.

“Çdo federatë, klub, trajnerë e sportistë e vlerëson situatën veç e veç, duke pasur parasysh se në rend të parë është shëndeti i sportistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në stërvitje”, tha i pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovës, Besim Hasani.

Aktivitetet sportive në Kosovë janë ndaluar prej 13 marsit, shkaku i përhapjes së pandemisë Covid-19.

(Kosova Sot Online)