Ibra synon të kthehet për ndeshjen kundër Juventusit

  • 03 June 2020 - 15:35
Ibra synon të kthehet për ndeshjen kundër Juventusit

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, raportohet se po shpreson të kthehet nga lëndimi i tij në kohë për të luajtur në ndeshjen kundër Juventusit më 7 korrik.

Zlatan Ibrahimovic do të duhet t’i kalojë javët e ardhshme duke u rikuperuar nga lëndimi i tij i fundit në kofshën e këmbës.

Ky lëndim, të cilin e pësoi sapo u kthye në Itali nga Suedia dhe i filloi stërvitjet me Milanin, bën që ai t’i humbë ndeshjet e para të Milanit në Kupën e Italisë dhe Serie A, kur të rinisë sezoni.

Megjithatë, gazeta italiane Tuttosport pretendon se 38-vjeçari tani synon të shërohet në kohë për të luajtur në ndeshjen e 7 korrikut, kur Milani planifikohet të luajë kundër Juventusit në San Siro.

Sulmuesi veteran suedez u kthye në Milano në mëngjesin e së mërkurës, pas një jave në Suedi dhe Milan News Italia shkruan se ai do t’i bëjë disa teste mjekësore sot  për ta parë se kur mund të kthehet.

Ibrahimovic, i cili kishte luajtur për skuadrën bardhezi mes viteve 2004 dhe 2006, i ka shënuar katër gola dhe e ka asistuar një gol në dhjetë ndeshjet e tij të zhvilluara këtë sezon, që nga transferimi në janar. 

(Kosova Sot Online)