Edhe një vit deri në Kampionatin Evropian, UEFA ka ende shumëçka për të vendosur

  • 10 June 2020 - 10:49
Edhe një vit deri në Kampionatin Evropian, UEFA ka ende shumëçka për të vendosur

Në rrethana të ndryshme, sytë e botës së futbollit do të kishin qenë në Romë për ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian 2020 këtë të premte, mirëpo turneu është shtyrë për një vit dhe UEFA është duke e shqyrtuar mundësinë të ndryshohet formati i garës pasi që Evropa është goditur rëndë nga virusi Covid-19.

Gara do të vazhdojë të thirret zyrtarisht EURO 2020, edhe pse do të nisë më 11 qershor të vitit 2021, ndërsa pritet që sërish ndeshja e parë, mes Italisë dhe Turqisë, të zhvillohet në stadiumin Olimpico të Romës.

Megjithatë, që kur u mor ky vendim, gjatë tre muajve të fundit, situata ka ndryshuar dukshëm. Evropa është traumatizuar nga ndikimi që ka pasur Covid-19, me më shumë se 180 vdekje të konfirmuara dhe mbi 2 milionë raste gjithsej.

Italia, ku supozohej të niste Evropiani që pastaj do të zhvillohej në 12 shtete të ndryshme, i ka shënuar 34 mijë vdekje shkaku i këtij virusi. Vetëm Britania e Madhe, nga shtetet evropiane, ka numër më të madh të vdekjeve (40 mijë), ndërsa gjysmëfinalet dhe finalja planifikohen të zhvillohen pikërisht në Londër, në Ëembley.

Shumë vende evropiane kanë filluar t’i zbusin masat për karantinë, mirëpo ndikimi në ekonomi është i vërejtshëm dhe ka shqetësime se Evropa mund të goditet nga një valë e dytë e infektimeve. Do të duhet një kohë më e gjatë derisa të hapen të gjithë kufijtë dhe ndoshta edhe më gjatë derisa të lejohen grumbullimet masive në stadiumet e mëdha për ndeshjet e EURO.

Ndryshimi i lokacionit për zhvillimin e ndeshjeve?

UEFA i ka dy probleme kryesore me të cilat do të duhet të merret. Organi qeverisës i futbollit evropiane tashmë po përballet me kritika të shumta, përfshirë aktivistë për ndryshimet klimatike, për vendimin që turneu të zhvillohet në 12 vende të ndryshme të Evropës.

Megjithatë, presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin ka lënë të kuptohet se numri i qyteteve nikoqire mund të zovgëlohet, pasi që e ka pranuar se UEFA po ka probleme me tre qytete dhe mund të vendosë ta kufizojë turneun në nëntë vende.

UEFA do të duhet të mendojë edhe si do t’ua kthejë paratë tifozëve që veçse kishin blerë bileta për ndeshjet e EURO 2020, para se të vendosej për shtyrjen e tij, ndërsa nuk është vendosur as për ndeshjet play-offs kualifikues për këtë turne, vendim ky të cilin po e pret edhe Kombëtarja e Kosovës. 

(Kosova Sot Online)