Aeroporti suspendon fluturimet me pankarta, pas incidentit në Premierligë

  • E.K /
  • 23 June 2020 - 16:12
 Aeroporti suspendon fluturimet me pankarta, pas incidentit në Premierligë

Aeroporti i Blackpoolit i ka suspenduar të gjitha fluturimet me pankarta nga baza e vet, pas mesazhit “Jeta e njerëzve të bardhë ka rëndësi” që u pa mbi stadiumin Etihad gjatë ndeshjes së Premierligës.

Të gjithë lojtarët e Premierligës e kanë mbajtur mbishkrimin “Black Lives Matter” (shqip: Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi) në vend të emrit të tyre në fanellë, në shenjë përkrahjeje për protestat që nisën në ShBA pas vdekjes së George Floyd.

Në Premierligë, lojtarët kanë mbajtur edhe nga një logo me mbishkrimin “Black Lives Matter” në fanellat e tyre, si shtesë ndaj logos për nder të Shërbimit Mjekësor Kombëtar të Anglisë shkaku i pandemisë Covid-19.

Përveç këtyre fanellave, lojtarët kanë marrë pjesë në një minutë heshtje para fillimit të ndeshjeve, ndërsa gjithashtu janë ulur në gjunjë në fillim të ndeshjes për të shfaqur solidaritet me protestat kundër racizmit dhe brutaliteti policor.

Por, gjatë ndeshjes mes Manchester City dhe Burnleyt u pa një aeroplan duke fluturuar mbi stadium, me një pankartë ku shkruhej: “Jeta e njerëzve të bardhë kanë rëndësi, Burnley”.

Kjo pankartë u vërejt vetëm disa minuta pas fillimit të ndeshjes, vetëm pak momente pasi lojtarët ishin ulur në gjunjë dhe ishin rrethuar për ta mbajtur një minutë heshtje. Ende nuk është konfirmuar kush pagoi për këtë pankartë, mirëpo aeroporti i Blackpoolit, prej nga u nis aeroplani, është përballur me kritika të shumta, ndaj të cilëve ka reaguar tani.

“Ne qëndrojmë kundër çdo lloji të racizmit dhe absolutisht nuk qëndrojmë prapa këtyre aktiviteteve, mesazheve ofenduese dhe veprimeve të papërgjegjshme. Vendimi për ta ngritur atë pankartë u mor nga kompania e fluturimeve me pankarta, pa njohurinë apo aprovimit e Këshillit të Blackpoolit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Aeroporti i Blackpoolit.

“Pas një takimi emergjent këtë mëngjes, aeroporti i Blackpoolit do t’i suspendojë të gjitha operacionet e lidhura me pankarta menjëherë dhe ua sugjerojmë edhe aeroporteve të tjera ta marrin të njëjtin vendim”.

(Kosova Sot Online)