Koronavirus mban peng kalendarin, F1 në dilemë për pjesën e dytë të sezonit

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 12:25
Koronavirus mban peng kalendarin, F1 në dilemë për pjesën e dytë të sezonit

Fundjavën e kaluar filloi sezoni 2020 në Formula 1, me garën e parë të zhvilluar në pistën austriake të Zeltweg. Në këtë pistë do të zhvillohet ditën e diel (12 korrik) edhe gara e radhës, ndërkohë që kalendari paraprak është konfirmuar deri më 6 shtator, kur zhvillohet gara e tetë, në Itali (Monza).

Në Austri, FIA duhej të publikonte edhe kalendarin për pjesën e mbetur të sezonit, por kjo gjë nuk ndodhi. Prej kohësh përflitet se do të zhvillohen gara në pistën e Mugello dhe Imola në Itali, Sochi (Rusi) e Portimao në Portugali. Por këto pista nuk u konfirmuan.

Sipas “Gazzetta Dello Sport”, rastet e shumta me koronavirus të konfirmuara në Portugali kanë bërë që organizatorët e Formula 1 të stepen për t’i dhënë një shans kësaj piste për të mirëpritur një garë. Ndaj, do të shihet situata edhe ditët në vijim për të konfirmuar kalendarin e garave.

Ndërkohë, shanse për të mirëpritur një garë ka Vietnami, që prej 2 muajsh nuk ka raste të reja me Covid-19. Gara e Vietnamit, e programuar më 5 prill, është shtyrë dhe ka gjasa të zhvillohet në nëntor, bashkë me garat në Abu Dhabi apo Bahrein (2 të tilla). 


(Kosova Sot Online)