Lazio i humb gjasat për titull, pëson disfatë tronditëse kundër Lecces

  • E.K /
  • 07 July 2020 - 22:46
 Lazio i humb gjasat për titull, pëson disfatë tronditëse kundër Lecces

Lazio është mposhtur 2:1 nga Lecce, duke e regjistruar disfatën e dytë radhazi, dhe praktikisht i ka humbur gjasat për titullin e parë në Serie A pas dy dekadave.

Vetëm tre ditë pas humbjes në shtëpi me Milanin, kur pritej që Lazio të bënte reagimin dhe të përpiqej të mbante të hapur garën për titull, dështoi sërish, këtë herë në “Via Dell Mare” përballë Lecces, një skuadre që vinte pas 6 humbjesh radhazi në kampionat.

Simone Inzaghi pati mundësi të rikthejë në fushë dyshen Immobile-Caicedo pas pezullimit një javor, ndërsa ishte pikërisht ky i dyti që zhbllokoi sfidën që në minutën e pestë, duke dhënë idenë se Lazion e pret një ndeshje e lehtë.

Megjithatë reagimi i vendasve ishte mjaft i mirë dhe në minutën e 30’ ishte sulmuesi Koumha Babacar që shënoi në portën e Strakoshës, duke rikthyer baraspeshën, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë Mancosu shpërdoroi një 11-metërsh duke mos arritur t’u japë avantazhin të tijve.

Edhe pjesa e dytë nisi mjaft mirë për Leccen, që gjeti menjëherë golin e avantazhit, pasi Luccioni shënoi me një asist të Saponarës, ndërsa gjithçka për skuadrën e Inzaghit u bë vërtetë e komplikuar.

Deri në fund loja u zhvendos në gjysmëfushën e Lecces, e tërhequr në mbrojtje të rezultatit, ndërsa portieri Gabriel bëri disa herë heroin me pritje spektakolare, ashtu si bëri edhe Strakosha në kundërsulmet e shpejta të vendasve.

Në minutën e 93-të Patric u ndëshkua me karton të kuq dhe la Lazion me 10 futbollistë, ndërsa as 10 minutat shtesë të akorduara nga arbitri Maresca nuk mjaftuan që bardhekaltrit të shmangin humbjen.

Me këtë fitore Lecce parakalon përkohësisht Genoan dhe del nag zona e rënies nga kategoria, ndërsa Lazio mbetet në vendin e dytë me 7 pikë më pak se Juventusi kryesues, distancë që mund të rritet nëse bardhezinjtë marrin pikë në Milan.

(Kosova Sot Online)