Klubet pritet të lejohen t’i bëjnë nga pesë zëvendësime edhe sezonin tjetër

  • G.G /
  • 08 July 2020 - 13:42
Klubet pritet të lejohen t’i bëjnë nga pesë zëvendësime edhe sezonin tjetër

Ligave të futbollit pritet t’u jepet opsioni për të vazhduar me rregullën për t’i bërë pesë zëvendësime brenda një ndeshjeje edhe për një sezon tjetër.

Numri i zëvendësimeve që lejohen brenda ndeshjes u ndërrua nga tre në pesë për t’i mbrojtur lojtarët pas karantinës shkaku i koronavirusit. Kjo masë u ndërmor në mënyrë që lojtarët të mos lodhen më tepër sesa që do të jetë e nevojshme shkaku i orarit të ngjeshur.

Ky rregull i ri pritej të jetë vetëm i përkohshëm. Megjithatë, tani The Athletic shkruan se Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB) do të ofrojë zgjatje të këtij rregulli deri në fund të këtij sezoni këtë javë.

Kjo pasi që autoritetet e futbollit ndërkombëtar besojnë se lojtarët do t’i kenë të njëjtat shqetësime edhe sezonin e ardhshëm shkaku i agjendës së komplikuar nga garat dhe ndeshjet e mbetura pezull të këtij sezoni.

Megjithatë, disa trajnerë të Serisë A, si Gian Piero Gasperini i Atalantas, e kanë bërë të qartë se preferojnë t’i bëjnë vetëm tre zëvendësime gjatë ndeshjeve.

Shumica e klubeve dhe trajnerëve besojnë se rregulla për t’i zëvendësuar pesë lojtarë gjatë ndeshjeve u jep përparësi klubeve me skuadra më të mëdha, pasi që ata mund të inkuadrojnë lojtarë të freskët në lojë pa e ulur nivelin e cilësisë. 

(Kosova Sot Online)