Solskjaer qëndron jashtë debatit, s’e komenton vendimin e CAS-it për Cityn

  • A.P /
  • 15 July 2020 - 13:45
Solskjaer qëndron jashtë debatit, s’e komenton vendimin e CAS-it për Cityn

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, nuk pranoi të futet në debatin se a bëri gabim Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) që ia shfuqizoi Manchester Cityt dënimin e dhënë nga UEFA.

Manchester City do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka shfuqizuar dënimin me dy vjet pezullim nga futbolli evropian për klubin anglez.

UEFA e dënoi Man Cityn me dy vjet pezullim nga garat evropiane në shkurt të këtij viti, për shkelje të rënda të rregullave për ndershmëri financiare (FFP) dhe licencim të klubit. Klubi i Premierligës i pati mohuar akuzat në mënyrë ta vazhdueshme dhe të ashpër dhe muajin e kaluar vendosi të ankohej ndaj dënimit në CAS.

Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i ka vendosur tani që t’ia heqë dënimin të kaltërve. Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro.

E gjitha kjo i la të pakënaqur trajnerin e Liverpoolit Jurgen Kloppit, që e quajti të hënën një ditë jo të mirë për komunitetin e futbollit, dhe trajnerin e Tottenhamit Jose Mourinhon, i cili e quajti vendimin të turpshëm. Këto deklarata e nxitën një reagim nga Guardiola. Por, Solskjaer ka preferuar të mos futet në këtë debat.

“Mendoj se njerëzit e tjerë mund të debatojnë për këtë gjë dhe duan ta debatojnë. Unë mendoj se ajo s’është puna ime. Puna ime është të përqendrohem në ndeshjen e radhës dhe t’i bëj gjërat e duhura”, ka thënë Solskjaer.

“FFP-ja është sjellë për t’i mbajtur klubet e futbollit financiarisht të qëndrueshme dhe kjo është e rëndëishsme. Ata na japin neve rregulla, në këtë përqendrohemi ne dhe ia lëmë të tjerëve të diskutojnë se çka është mirë e çka keq”. 

(Kosova Sot Online)