Finalja para finales: Gjilani pret Ballkanin në derbin e javës

  • S.A /
  • 22 July 2020 - 09:04
Finalja para finales: Gjilani pret Ballkanin në derbin e javës

Xhiroja e 32-të e Superligës së Kosovës i sjell pesë ndeshje interesante sot në orën 17:00, megjithatë e gjithë vëmendja do të jetë në Gjilan, ku djemtë e Gentjan Mezanit do ta presin Ballkanin e Ismet Munishit.

Pas fitores së Dritës me rezultat 1:0 të martën, Gjilani dhe Ballkani e duan me patjetër fitoren sot, në mënyrë që ta vazhdojnë luftën për titull.

Përderisa Gjilanit ia mban gjallë shpresat për titull edhe vetëm një barazim në këtë ndeshje, Ballkanit i duhet patjetër fitorja për të mos e humbur edhe matematikisht titullin.

Nëse Gjilani e barazon këtë ndeshje, atëherë do të duhet të shpresojë që Ballkani ta fitojë ndeshjen e fundit të sezonit kundër Dritës, përderisa vetë do të duhej ta mposhte Flamurtarin me një rezultat bindës për ta arritur goldallimin më të mirë se Drita, pasi që do të ishin baras me pikë.

Në anën tjetër, Ballkanit i shuhen shpresat për titull nëse merr rezultat tjetër përveç një fitoreje sot, përderisa lufta për dalje në Evropë, përmes renditjes në pozitën e dytë, do të varej nga rezultati i sotshëm dhe rezultati në xhirot e ardhshme.

Ballkanin s’do ta ketë të lehtë të marrë fitoren që i duhet sot, pasi që e ka pasur një rekord negativ në ndeshjet si mysafir këtë sezon, si në ndeshjen e parë të sezonit kundër Gjilanit, kur pësoi disfatë me rezultat 1:0.

Megjithatë, djemtë e Ismet Munishit kishin shënuar fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen kthyese dhe sot do të tentojnë ta përsërisin këtë fitore kundër një Gjilani që është në formë të mirë dhe vjen në këtë ndeshje pas fitoreve kundër Dritës, Prishtinës dhe Drenicës në tri xhirot e fundit.

Ndërkohë, sot do të zhvillohen edhe katër ndeshje të tjera, në mesin e të cilave është edhe Prishtina që vazhdon ëndrrën për dalje në Evropë, pasi tashmë e ka humbur matematikisht titullin.

Lista e plotë e ndeshjeve të sotshme, të gjitha në orën 17:00:

Gjilani – Ballkani

Prishtina – Flamurtari

Feronikeli – Trepça ‘89

Llapi – Ferizaj

Dukagjini – Vushtrria

Trepça ’89 do të tentojë ta shfrytëzojë disfatën e Drenicës në ndeshjen e djeshme kundër Ditës për të dalë nga zona e rrezikut, gjë të cilën do ta arrinte falë goldallimit më të mirë.

(Kosova Sot Online )