Beckham gëzohet që s’kishte rrjete sociale kur ai gaboi në Kupën e Botës

  • S.A /
  • 28 July 2020 - 09:16
Beckham gëzohet që s’kishte rrjete sociale kur ai gaboi në Kupën e Botës

David Beckham ka folur për rëndësinë e të qenët më i hapur për shëndetin mendor, pasi rrëfeu për ndikimin që kishin pasur te ai reagimet gjatë pjesëmarrjes në Kupën e Botës 1998.

Anglia ishte eliminuar në fazën e 1/8 të finales të Kupës së Botës nga Argjentina, pasi David Beckham ishte ndëshkuar me karton të kuq pasi e kishte shkelmuar Diego Simeonen, pas një ndërhyrjeje nga trajneri aktual i Atletico Madridit.

Ai karton i kuq bëri që Beckham të shndërrohet nga i preferuari i tifozëve në njërin ndër personat më të urryer në Angli. Ai mori kërcënime për vrasje, u pikturuan foto të tij të varur, ndërsa gazeta Mirror e la në ballinë titullin “Dhjetë luanë heroikë, një djalosh budalla”.

Pastaj, në Manchester Unitedit, Beckham arriti ta rikuperojë reputacionin e tij edhe një herë për t’u bërë njëri ndër personalitet më të dashura në botën e futbollit. Megjithatë, tani ai thotë se është mirënjohës që në atë kohë nuk kishte pasur rrjete sociale.

“Unë e bëra një gabim në vitin 1998 dhe reagimi në atë kohë ishte mjaft brutal. Nëse rrjete sociale do të ishin të pranishme në atë kohë, do të kishte qenë një temë plotësisht tjetër”, ka thënë Beckham.

“Megjithatë, unë pata fat. Kisha përkrahje të madhe nga Manchester Unitedi, nga trajneri dhe natyrisht nga familja ime”.

“A ndihesha se ishte në rregull të kërkoja ndihmë atëherë? Jo, sepse ishte një epokë tjetër dhe unë besoja se duhej ta mbaja në vete dhe ta zgjidhja vetë. Ndërsa tani i mësoj fëmijët e mi dhe të tjerët që të flasin kurdo që kanë diçka të rëndësishme për të biseduar”.

“Ne e dimë të gjithë tani se është në rregull të mos jemi në rregull dhe është në rregull ta themi këtë. Është në rregull të dalësh dhe të thuash: “Më duhet ndihmë””.

(Kosova Sot Online )