Debutuesi i Man Unitedit: Të gjithë e ëndërrojnë këtë mundësi

  • S.A /
  • 06 August 2020 - 09:27
Debutuesi i Man Unitedit: Të gjithë e ëndërrojnë këtë mundësi

Mbrojtësi i ri i Manchester Unitedit, Teden Mengi, tha se debutimi i tij për Djajtë e Kuq është vetëm fillimi për të, pasi luajti në fitoren me rezultat 2:1 të klubit në Ligën e Evropës kundër LASK.

18-vjeçari Mengi e zëvendësoi Timothy Fosu-Mensah kur kishin mbetur edhe gjashtë minuta lojë të mërkurën dhe arriti t’i impresionojë tifozët me disa lëvizje në ato pak minuta që ishte në fushë.

Qendërmbrojtësi i talentuar e shijoi mundësinë që iu dha nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer dhe u shpreh i përkushtuar për t’u përmirësuar dhe të luftojë për një vend në formacionin e parë të klubit.

“Është një ndjenjë e mrekullueshme, dua t’i falënderoj të gjithë përreth meje – familjen time, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë në ekipin e parë, që ma kanë bërë punën shumë të lehtë”, ka thënë Mengi.

“Dua ta falënderoj edhe stafin e akademisë, por edhe trajnerin që ma dha këtë mundësi. Ky është vetëm fillimi. Tani varet nga unë ta tregoj veten dhe të përmirësohem, por jam i lumtur”.

“Natyrisht, të gjithë e ëndërrojnë këtë moment. Është një ëndërr për të gjithë ta përfaqësojnë klubin më të madh në botë. Për fat të mirë, unë e pata këtë mundësi sot dhe jam shumë i lumtur për këtë arsye”.

“Të gjithë më thanë para ndeshjes, por edhe pas pjesës së parë, se duhej të bëhesha gati dhe unë e bëra këtë. Të gjithë më thanë: “Hajde Teden, ky është momenti yt tani””.

(Kosova Sot Online )