Përkundër telasheve të brendshme, Vushtrria arrin marrëveshje me trajnerin Nikaj

  • S.A /
  • 13 August 2020 - 15:14
Përkundër telasheve të brendshme, Vushtrria arrin marrëveshje me trajnerin Nikaj

Përpos që në edicionin e fundit ra nga Superliga në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, në Vushtrri po ndodhin zhvillime të ndryshme. Edhe pse Bajrush Kajtazi pretendon se në mënyrë ligjore e ka privatizuar klubin bardh e kaltër, para pak javësh është mbajtur një Kuvend i Vushtrrisë, në të cilin është shkarkuar Kajtazi dhe është emëruar bordi i ri, ku janë angazhuar futbollistë legjendarë të këtij qyteti.

Megjithëkëtë, Kajtazi ndihet i pastër dhe vazhdon ta konsideroj Vushtrrinë si klub të tij, kurse kryesia e re nuk po lejohet të hyjë në stadiumin “Ferki Aliu”. “Ai (Bajrush Kajtazi) është shkarkuar sepse nuk i ka mbajtur premtimet e tij dhe nuk e ka privatizuar klubin sipas ligjit, por e ka uzurpuar. Krejt çka ka bërë për klubin janë dy rroga që i ka dhënë. Asgjë më shumë”, thotë Naim Ferizi.

“Ai e ka uzurpuar edhe stadiumin e qytetit, ku ka vendosur edhe sigurim duke mos na lejuar të hyjmë, dhe duke e penguar funksionimin e klubit. Atë e ka sjell politika dhe vetëm nëse politika e mban në klub mund t’ia del sepse për ndryshe nuk ka shans. Dhe, nëse politika vepron kundër ligjit në favor të tij atëherë rasti do të shkojë në instanca tjera të larta”, u shpreh Ferizi.

Ai e konfirmoi lajmin se tifozët e Vushtrrisë po përgatisin protesta. “Kam informacion se një protestë do të mbahet të dielën nga tifozët që do të kërkojnë çlirimin e klubit dhe stadiumit nga uzurpimi. Sipas informatave tifozët janë të vendosur të protestojnë deri në fund”, tha ai.

Sipas Ferizit, gjithë vushtrriasit janë të interesuar të bashkohen rreth klubit për ta ndihmuar që gjatë edicionit të ri të triumfojë në Ligën e Parë dhe të kthehet shpejt në Superligë. Por, thotë se Kajtazi duhet të mos pengoj dhe ta lirojë stadiumin.

Madje, sipas Ferizit, Vushtrria tashmë e ka gjetur edhe një trajner që njihet si specialist për kthimin e ekipeve nga Liga e Parë në Superligë, siç është Samuel Nikaj, i cili edhe Vushtrrinë e kishte kthyer në elitën e futbollit kosovar nga një rang më i poshtëm. “Me Samuel Nikajn veç kemi arritur marrëveshje në parim dhe do të jetë trajner i Vushtrrisë në sezonin e ri. Por po pengohemi të punojmë”, u shpreh ai.

I pyetur se si do t’ia del Vushtrria të sigurojë para për trajner, përforcime dhe paga të futbollistëve pa një “zot shtëpie”, Ferizi tha: “Ka të interesuar nëpër Vushtrri që ta përkrahin klubin”, përfundoi ai.

Vushtrria është një vend që jeton me futbollin, prej nga kanë dalë shumë futbollistë të famshëm, përfshirë Milot Rashicën. Klubi bardh e kaltër e ka një tifozeri të zjarrtë.

(Kosova Sot Online )