Abazaj drejt Turqisë

  • E.K /
  • 19 August 2020 - 15:46
Abazaj drejt Turqisë

Kristal Abazaj sezonin e ardhshëm mund të luaj në ligën kryesore të Turqisë. Për momentin nuk ka konfirmime zyrtare, por “Supersport” ka zbuluar se negociatat me një klub të Superligës turke janë në fazë të avancuar.

Sulmuesi 24-vjeçar zhvilloi një sezon për t’u vendosur në kornizë me Kukësin duke qenë futbollisti më i mirë i bluve dhe tashmë është gati për një eksperiencë të rëndësishme në karrierën e tij. Interesi ka qenë maksimal nga klube të ndryshëm në Europë, por përfaqësuesit e lojtarit Adrian Aliaj e Arbër Abilaliaj janë treguar të kujdesshëm në mënyrë që hapi të jetë konkret dhe i sigurt, pa gabuar në zgjedhje.

Abazaj është nën kontratë me Anderlechtin deri në qershor të vitit 2021 dhe në këtë pikë duhet gjetur një zgjidhje, ndërsa transferimi mund të jetë me formulë huazimi me të drejtë blerjeje, ose klubi belg që nuk kërkon të bëhet pengesë mund ta shesë përfundimisht kartonin e anësorit që në këtë hapësirë të merkatos.

Nëse konkretizohet, atëherë kjo do të jetë aventura e parë e Kristal Abazajt në kampionatin turk dhe e treta jashtë Shqipërisë, pas përvojave me Anderlechtin në Belgjikë dhe Osijekun në Kroaci.

(Kosova Sot Online)