Hansi Flick: Askush nuk na e kishte frikën

  • S.A /
  • 24 August 2020 - 13:54
Hansi Flick: Askush nuk na e kishte frikën

Hansi Flick ishte njeriu që i ndryshoi fytyrën Bayernit të Mynihut në vetëm pak muaj. Trajneri gjerman mori drejtimin e bavarezëve në nëntor pas problemeve që këta të fundit kishin hasur në kampionat duke pësuar disa humbje turpëruese me Niko Kovac në drejtim.

Mbrëmjen e 23 gushtit në Lisbonë, Bayerni ngriti lart trofeun e Champions League për herë të 6-të në historinë e klubit, ndërsa më herët kishte fituar edhe Bundesligan e Kupën e Gjermanisë dhe për këtë meritat shkojnë për Flick që pas fitores ndaj PSG në finalen e Championsit u shfaq shumë i lumtur duke e analizuar kështu sezonin e bavarezëve pas tripletës së dytë të fituar në historinë e tyre.

“Kur pashë titujt në media në nëntor, gjithçka lexova ishte se askush nuk kishte më frikë nga Bayern. Nga atëherë zhvillimi i ekipit ka qenë i çmendur. E merituam të fitonim, për shkak të gjysmës së dytë të sezonit. Ju mund të shihnit stërvitjen që u bë në janar dhe që aty kuptohej se diçka e madhe po rritej. Ekipi kishte një dëshirë shumë të madhe për të fituar”, tha Flick.

Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri i Bayern u ngacmua edhe për të ardhmen e Thiago Alcantara. Flick pas ndeshjes u takua me mesfushorin spanjoll, i përfolur për një kalim te Liverpool. Pasi kishte fituar, gjermani edhe mund të bënte ndonjë shaka.

“Jo, ai më tha se do të qëndrojë”, thotë fillimisht teknik i Bayern, i cili më pas edhe e ngacmon gazetarin. “Të ndryshoi fytyra (qesh). Thjesht e falënderova për kohën që kemi kaluar së bashku, siç bëra me të gjithë lojtarët. Unë nuk e di dhe ai akoma nuk e di me cilin klub do të bashkohet, sepse të gjithë ishim të përqendruar te kjo finale e Champions League. Mendoj se do duhet të presim për të rejat që do të sjellin ditët e ardhshme”, përfundoi Flick.

(Kosova Sot Online )