Tyson i kërkon luftë në ring Anthony Joshuas

  • G.G /
  • 24 September 2020 - 16:10
Tyson i kërkon luftë në ring Anthony Joshuas

Legjenda e boksit Mike Tyson ka shprehur gatishmëri për t’u përballur në ring me kampionin e botës në kategorinë e rëndë, Anthony Joshua, menjëherë pas meçit të tij për bamirësi me Roy Jones Jr.

Tysoni i hekurt pritet të kthehet në ring plot 15 vjet pas meçit të fundit profesional kundër Kevin McBride.

Ai do të përballet me ish-kampionin e botës, Jones, në muajin nëntor në Kaliforni.

Ky meç është organizuar për të grumbulluar të holla për bamirësi dhe gjyqtari është urdhëruar të ndërhyjë nëse lufta i kalon kufijtë e një meçi ekzibicioni.

Pavarësisht se është 54-vjeçar, Tyson është në formë të mrekullueshme fizike dhe thotë se me kënaqësi do të përballej me kampionin aktual të botës në WBA, IBF dhe WBO, Joshua.

I pyetur drejtpërdrejt nëse do të përballej me Joshuan, Tyson tha: “Do të më pëlqente shumë. Do të ishte mahnitëse”.

“Dëgjoni, është argëtim. Është thjesht për bamirësi, për diçka të mirë”. 

(Kosova Sot Online)