McGregor: Unë vij nga një planet tjetër

  • S.A /
  • 20 janar 2021 - 09:26
McGregor: Unë vij nga një planet tjetër

Superylli i UFC-së, Conor McGregor, beson se ka aftësitë luftarake më të mira se kundërshtarët e tij, para rimeçit me Dustin Poirier të dielën në Abu Dhabi.

Luftëtari irlandez do të rikthehet në kafaz për herë të parë pas një viti këtë të diele, për t’u përballur me amerikanin Dustin Poirier në Abu Dhabi. 

32-vjeçari luftoi për herë të fundit në janar të vitit të kaluar, kur e mposhti Donald Cerronen për 40 sekonda.

Ish-kampioni i botës njoftoi pensionimin nga UFC-ja në qershor, duke thënë se i ishte mërzitur ky sport, por tani është rikthyer dhe, sipas kampit të tij, ai është më i përqendruar së kurrë më parë.

McGregor foli me bindje të mëdha për triumf në fundjavë, duke thënë se aftësitë e tij luftarake janë të pakrahasueshme.

“Jam nga një planet tjetër, nuk jam nga këtu. Aty jam unë, në një nivel tjetër me aftësitë e mia luftarake”, tha McGregor.

“T’ju them diçka, ky do të jetë një rimeç i lehtë për mua të dielën”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )