Sam Allardyce është gjeni – thotë Guardiola

  • S.A /
  • 26 January 2021 - 09:33
Sam Allardyce është gjeni – thotë Guardiola

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e ka përshkruar homologun e vet të West Bromit, Sam Allardyce, si trajner gjeni.

City dhe West Brom do t’i matin forcat sonte në Premierligë dhe Guardiola pret që skuadra e tij, e cila me fitore do të bëhej lidere e ligës, të përballet me një test të vështirë.

Por dallimi është se, në këtë takim, skuadra e Allardyce do të kërkojë pikë për të dalë nga zona e rënies prej ligës.

Me Allardyce, West Bromi tani e ka një trajner i cili është i kalitur në luftimin e betejave për mbijetese dhe tani i është caktuar detyrua për ta mbajtur edhe skuadrën nga West Bromwichi në Premierligë, pasi u emërua në vend të të shkarkuarit Slaven Bilic në dhjetor.

Guardiola ndien se është e vështirë ta marrësh drejtimin e një skuadre në mes të sezonit, duke shtuar se ka admirim të madh për punën që e ka bërë Allardyce gjatë karrierës së tij.

“Nuk është e lehtë ta marrësh detyrën për ta drejtuar një ekip në mes të sezonit, por ai nxori rezultate të mira kundër ekipeve si Wolves, Liverpool e të tjera”, tha Guardiola.

“Sam Allardyce është gjeni që i merr këto ekipe kur të gjithë mendojnë se gjithçka ka marrë fund dhe ia del të nxjerrë rezultate”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )