Lautaro pranon rinovimin e kontratës me Interin

  • S.A /
  • 16 February 2021 - 12:59
Lautaro pranon rinovimin e kontratës me Interin

Pas tre takimesh në muajin janar mes menaxherëve të Lautaro Martinez dhe drejtuesve të Interit, duket se është arritur më në fund marrëveshja për rinovimin e kontratës së sulmuesit argjentinas, që do të mbetet zikaltër deri në verën e 2024-ës.

Aktualisht Lautaro përfiton një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon dhe me kontratën e re pritet të paguhet 4.5 milionë euro në sezon, plus një sërë bonusesh që mund ta rritin shifrën në më tepër se 5 milionë euro në sezon. Njëkohësisht është vendosur që të hiqet edhe klauzola e prishjes së kontratës, e cila aktualisht është parashikuar të jetë 111 milionë euro. Thënë ndryshe, tani e mbrapa çmimin për kartonin e Lautaros do ta vendosë vetë Interi dhe mund të ketë mundësi të përfitojë më tepër.

Mediat italiane garantojnë se marrëveshja për rinovim është arritur plotësisht mes palëve dhe se në fund të muajit pritet që menaxherët e Lautaros të mbërrijnë në Milano për të hedhur firmën mbi kontratën e re.

Ndërkohë dyshja Marotta-Ausilio po punojnë edhe për rinovimin me dy elementë të tjerë të rëndësishëm të formacionit të Antonio Contes, Nicolo Barella dhe Alessandro Bastoni, të cilët përfitojnë shumë pak në krahasim me kontributin që japin në fushë.

Plani i zikaltërve është që t’i blindojë edhe këta të dy, që shihen jo vetëm si pjesë e rëndësishme e projektit aktual të klubit, por edhe si baza për një të ardhme të suksesshme, pasi janë përkatësisht Barella 24 vjeç dhe Bastoni 22 vjeç.

(Kosova Sot Online )