Ronaldo nuk ngopet dot: Unë s’ndalem, mezi pres ta arrij rekordin e radhës

  • S.A /
  • 16 March 2021 - 09:24
Ronaldo nuk ngopet dot: Unë s’ndalem, mezi pres ta arrij rekordin e radhës

Cristiano Ronaldo duket se ende është shumë i uritur për sukses, me gjithë arritjet e mëdha në karrierë, pasi ka thënë se dëshiron të arrijë rekorde të tjera.

Sulmuesi portugez shënoi het-trik në fitoren e Juventusit 3:1 kundër Cagliarit të dielën, duke e thyer rekordin e legjendës Pele për më së shumti gola në ndeshje zyrtare.

Ronaldo e festoi këtë arritje me një postim të gjatë në Instagram të dielën.

Por festën e vazhdoi edhe të hënën me një postim tjetër, ku shfaqi uri për më shumë sukses në moshën 36-vjeçare.

“Ende ka shumë gjëra për t’u arritur dhe besoj se mund t’ia dalim së bashku. Golat janë pjesë thelbësore e asaj se kush jam unë. Nuk do të ndaloj së tentuari për më shumë, mezi pres të arrij rekord tjetër”, shkroi Ronaldo.

“Unë gjithmonë kërkoj më shumë dhe mendoj se kjo është arsyeja përse njerëzit shpesh thonë se unë kam shumë energji dhe se unë kurrë nuk ndalem. Mbase kjo është e vërtetë, por kjo është e nevojshme për të më mbajtur të gjallë”, shtoi ai.

Ronaldo është golashënuesi më i mirë në Serie A deri tani këtë sezon, me 23 gola në po aq ndeshje.

Për të është përfolur së mund të kthehet në Real Madrid, por marrëveshja se tij me bardhezinjtë mbaron në qershor të vitit 2022. 

(Kosova Sot Online )