Bileta e fundit për në Evropë

  • S.A /
  • 20 May 2021 - 13:04
Bileta e fundit për në Evropë

Drita dhe Ballkani do ta synojnë pozitën e dytë në xhiron e fundit të sezonit në Superligë. Aktualisht, gjilanasit i kanë dy pikë më shumë sesa therandasit. Bardhekaltrit e presin Arbërinë, kurse ekipi Portokalli e viziton Prishtinën në fundjavë. Drita dhe Ballkani do ta kërkojnë këtë fundjavë biletën e fundit që çon në Evropë. Deri tash, Prishtina si kampione dhe Llapi si fitues i Kupës e kanë siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane.

Ndërsa, ekipi i tretë që do të luajë në Evropë në sezonin 2021/2020 do të përcaktohet vetëm këtë fundjavë. Në fakt, të dielën do të mbyllet përfundimisht sezoni në Superligën e Kosovës në futboll. Aktualisht, Drita është e dyta në tabelë me dy pikë më shumë se Ballkani.

Gjilanasit do ta presin Arbërinë në xhiron e fundit. Një fitore në shtëpi do t’ia siguronte kampionit të deridjeshëm kualifikimin në garat evropiane. Por, ekipi Bardhekaltër s’do të ketë punë të lehtë pasi do të ballafaqohet me Arbërinë, së cilës i duhen pikët për mbijetesë.

Ndërkohë, Ballkani është i obliguar të fitojë ndaj Prishtinës në kryeqytet dhe më pas të shpresojë në një gabim të rivalit. Nëse gjilanasit dhe therandasit përfundojnë me pikë të njëjta, pozita e dytë do t’i takojë ekipit Portokalli. Kjo pasi në duelet e ndërsjella ka bilanc më të mirë sesa Drita. Andaj, kjo fundjavë do të jetë mjaft e nxehtë, jo vetëm për Evropë, por edhe për mbijetesë dhe barazh.

 

(Kosova Sot Online )