
Messi shpërthen gjatë penalltive

Lionel Messi ishte plot emocione të përziera dhe stresuese gjatë fitores së Argjentinës kundër Kolumbisë në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës 2021, që flet shumë për dëshirën e madhe të 34-vjeçarit për ta arritur lavdinë me Argjentinën. Ai ka fituar gjithçka në karrierë, i mungon vetëm një trofe me ekipin kombëtar për t’u pensionuar i qetë dhe për t’u kujtuar gjithmonë si më i miri në histori.
Gjysmëfinalja mes Argjentinës dhe Kolumbisë u desh të përcaktohej me penallti, pasi koha e rregullt prej 90 minutave nuk dha fitues duke përfunduar baras 1:1.
Martinez, i cili u përpoq t’i shpërqendrojë kundërshtarët me fjalë, ishte heroi i vërtetë i Argjentinës duke i mbrojtur gjuajtjet e Davinson Sanchez, Yerry Mina dhe Edwin Cardona nga pika e bardhë. Ndërsa Lionel Messi, Leandro Paredes dhe Lautaro Martinez shënuan për Argjentinën, për ta siguruar një vend në finale kundër Brazilit.
Gjatë gjuajtjeve nga pika e bardhë Messi, i cili gjuajti i pari dhe shënoi për Argjentinën, ishte shumë i zëshëm dhe shumë emocional.
Leo më së shumti shpërtheu kur dështoi Yerry Mina, me të cilin ishte i nervozuar gjatë ndeshjes, për shkak vallëzimit që bën ai në fushë në rast shënimi, apo edhe gëzimi kur realizojnë shokët.
Ai u pa duke brohoritur dhe thënë; “Baila ahora”, Vallëzo tani, vallëzo, vallëzo tani, vallëzo tani…”, disa herë përsëriti të njëjtën gjë dhe në fund në mënyrë ironike e duartrokiti për penalltinë e humbur.
(Kosova Sot Online)