“Edhe Donnarumma do ta meritonte Topin e Artë”

  • G.G /
  • 13 July 2021 - 14:52
“Edhe Donnarumma do ta meritonte Topin e Artë”

Legjenda e futbollit, Hristo Stoichkov e ka dhënë mendimin e tij për favoritët e çmimit prestigjioz individual. Ish-futbollisti bullgar e fut në mesin e kandidatëve edhe portierin italian, i cili shkëlqeu në Euro 2020

Hristo Stoichkov e ka ngritur lartë Gianluigi Donnarumman, i cili shkëlqeu në Euro 2020. Legjenda e futbollit insiston se, portieri italian është në mesin e lojtarëve që e meritojnë ta fitojnë “Topin e Artë” të këtij viti.

Donnarumma u zgjodh lojtari më i mirë i turneut pasi i inspiroi “Azzurrët” drejt suksesit të jashtëzakonshëm në Evropian. “Donnarumma e ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm. Ai nuk u shqua vetëm në penalltitë kundër Spanjës dhe Anglisë. Pas Buffonit, Italia e ka gjetur një portier të madh. Donnarumma është portieri më i mirë në Evropë”, ka thënë Stoichkov për “La Gazzetta dello Sport”.

Ish-futbollisti i Barcelonës ka folur edhe për kandidatët tjerë për ta fituar trofeun prestigjioz individual. “Jorginho e ka bërë një super sezon, por për Topin e Artë nuk mund t’ia dalë. Messi është aty dhe nuk mund të injorohet. Një sezon i madh me Barcelonën duke e fituar Copa del Rey, e më pas edhe Copa American, që s’e kishte fituar kurrë. Aty ishte protagonist. Një tjetër kandidat është Lewandowski: vitin e kaluar padrejtësisht nuk u dha çmimi, France Football është dashur ta shpërblente atë”, përfundoi Stoichkov. 

(Kosova Sot Online)