Barcelona del me njoftim për Sergio Agueron

  • S.A /
  • 14 December 2021 - 12:13
Barcelona del me njoftim për Sergio Agueron

Barcelona ka konfirmuar se Sergio Aguero do ta sqarojë të ardhmen e vet në futboll nesër në një konferencë për media na Camp Nou, pas telasheve me zemër.

Mediat spanjolle pretendojnë se Aguero do ta njoftojë pensionimin nga futbolli gjatë asaj konference, pasi nuk është më në gjendje të luajë futboll profesional.

Në një njoftim në Twitter, Barcelona shkroi: “Këtë të mërkure (në orën 12:00), Sergio Aguero do të paraqitet (në një konferencë për media) në Camp Nou për ta sqaruar të ardhmen e vet. Në konferencë do të marrë pjesë edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta”. Gjiganti katalonas nuk ishte specifik, por Aguero pritet ta njoftojë varjen e këpucëve në gozhdë para kohe.

Sulmuesi argjentinas përjetoi vështirësi në frymëmarrje dhe shtrëngim në gjoks në një ndeshje të Barçës kundër Alavesit më 30 tetor.

Barcelona theksoi pak ditë pas asaj ndeshje se Aguero do të mungonte tre muaj, për ta mjekuar problemin në zemër.

Testet mjekësore gjetën se 33-vjeçari ka çrregullime në të rrahurat e zemrës.

Por sipas mediave spanjolle, Aguero nuk do të kthehet më kurrë në fushën e lojës dhe se Barcelona e ka përgatitur tashmë ceremoninë e pensionimit të tij.

Aguero iu bashkua Barcelonës në verë si lojtar i lirë, pasi u largua nga Manchester City, me të cilin i kishte mbaruar marrëveshja në qershor.

Ai i bëri vetëm pesë paraqitje për katalonasit në të gjitha garat, duke e shënuar një gol.

(Kosova Sot Online )