Ka arritur oferta e parë për Man Utd-n dhe transferimin e yllit problematik: “Për Ronaldon një tortë dhe një shishe birrë”!

  • S.A /
  • 16 November 2022 - 09:50
Ka  arritur oferta e parë për Man Utd-n dhe transferimin e yllit problematik: “Për Ronaldon një tortë dhe një shishe birrë”!

Rasti i Cristiano Ronaldos është duke vazhduar për të dominuar tabloidet angleze në dy ditët e fundit, pas intervistës shokuese që e dha ylli i Manchester Unitedit, duke i prishur punët përfundimisht me klubin e tij.

Sipas zërave të fundit, “Djajtë e Kuq” janë të gatshëm ta shesin “CR7” në afatin kalimtar të janarit pasi trajneri Erik ten Hag nuk e do më në ekipin e tij.

E për t’iu bashkuar kësaj hallakame është përkujdesur edhe Blyth Spartans, një klub i nivelit të gjashtë të futbollit anglez, transmeton "Kosova Sot Online". Ky klub, në mënyrë ironike ia ka bërë një ofertë zyrtare klubit nga “Old Trafford” për Ronaldon.

“Përshëndetje Manchester United, kemi dëgjuar që Cristiano Ronaldo dëshiron të transferohet diku tjetër. Ne do të ishim të gatshëm ta ofrojmë një tortë dhe një shishe birrë për të”, ka shkruar klubi anglez në “Twitter”.

Ndërkohë, tifozët kanë vazhduar me shaka dhe me reagime negative: “Nuk do t’ia marrë ai numrin 7 Richarlisonit!”, “Nuk mendoj se do të na shpëtojë nga rënia prej ligës, mund të ishte edhe më keq”, “Barlow është më i mirë, më besoni”, ishin disa nga komentet ironizuese të tifozëve të ekipit modest, Blyth Spartans.

Ronaldo aktualisht është grumbulluar me Kombëtaren e Portugalisë, ndërsa për të ardhmen e tij do të vendosë pas eksperiencës që do ta ketë në Kupën e Botës. 

Natyrisht, ajo që dihet sigurt është se 37 vjeçari nuk ka të ardhme në “Teatrin e Ëndrrave”.

(Kosova Sot Online )