Koulibaly: Ja pse zgjodha Arabinë

  • A.P /
  • 27 June 2023 - 14:46
Koulibaly: Ja pse zgjodha Arabinë

Një jetë e re mes sheikësh për Kalidou Koulibalyn, i cili ditë më parë nënshkroi kontratë trevjeçare me Al-Hilal me një supe-rrogë prej 30 milionë eurosh në vit.

“E kam zgjedhur skuadrën më të mirë të kampionatit arab”, thotë fillimisht futbollisti afrikan në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere dello Sport”, duke shpjeguar ndërkohë që vendimi i tij nuk është vetëm çështje parash.

“Jam i lumtur sepse si mysliman kam ardhur në vendin e duhur. Dhe, jam entuziast të jem njëri prej të parëve që do ta përqafoj një kampionat në zhvillim, shpresoj që ta ndihmoj Arabinë Saudite dhe Al-Hilalin që ta shkruajë një histori të re sportive. Gjithashtu, është një kontratë mjaft e rëndësishme”, shton futbollisti i deridjeshëm i Chelseat.

“Gjithashtu, mund ta ndihmoj familjen time të jetojë më mirë, duke i përfshirë këtu vëllezërit e motrat, të afërmit, e mbi të gjitha që t’i mbështes aktivitetet sociale të asociacionit tim ‘Capitane du Coeur’ në Senegal”, vazhdoi ish-futbollisti i Napolit.

Ai ndihet mjaft i lumtur që ish-klubi i tij u shpall kampion i Italisë, ndërsa eksperiencën në Chelsea e konsideron si të shkëlqyeshme dhe Premierligën si fantastike, ndonëse nuk luajti në nivelet që i prisnin të gjithë. 


(Kosova Sot Online)