Klubet saudite po ‘çmenden’ pas Raphinhas
Liga Profesionale Saudite raportohet se po kërkon të joshë Raphinhan për t’u larguar nga Barcelona, duke i ofruar katërfishin e pagës së tij aktuale.
Sipas gazetës sportive spanjolle “Mundo Deportivo”, dy klube saudite – Al-Nassr dhe Al-Hilal – po e ndjekin 29-vjeçarin brazilian.
Paga e tij neto pritet të rritet nga 12 milionë euro në 48 milionë euro në vit.
Fondi sovran PIF qëndron pas të dy klubeve, me synimin për të sjellë një yll si Raphinha për të rritur profilin e ligës.
Për të siguruar transferimin, sauditët janë të gatshëm t’i ofrojnë Barcelonës një shumë prej 80 milionë eurosh.
Raphinha ka pranuar se në verën e vitit 2024 ka menduar seriozisht një kalim në Arabinë Saudite, para emërimit të Hansi Flickut si trajner i Barcelonës.
Sulmuesi anësor ishte gati të pranonte ofertën derisa trajneri gjerman e bindi të qëndrojë.
“Oferta që morëm nga Arabia Saudite ishte shumë joshëse. Do të ndryshonte jo vetëm jetën time, por edhe atë të prindërve të mi, djalit tim dhe shumë njerëzve të tjerë,” tha Raphinha për “ESPN Brasil” në tetor 2025.
“Sigurisht, e kemi konsideruar largimin nga Barcelona,” pranoi ai.
Nën drejtimin e Flickut, Raphinha shkëlqeu në sezonin 2024/25, duke shënuar 34 gola dhe dhënë 23 asistime, duke formuar një dyshe të frikshme në krah me Lamine Yamalin për katalanasit.
Në sezonin që sapo përfundoi, megjithatë, dëmtimet ia kufizuan paraqitjet, duke luajtur në 24 ndeshje më pak se sezoni i kaluar.
Sipas raportit, Barcelona është e bindur se edhe nëse vjen një ofertë e re, Raphinha do të refuzojë sërish një kalim në Arabinë Saudite për të tentuar edhe një herë, së bashku me Flickun, të fitojë Ligën e Kampionëve, pas dy titujve të La Ligas.
(Kosova Sot Online)
