Juventus konfirmon se nuk do të apelojë vendimin e UEFA-s

  • A.P /
  • 28 July 2023 - 21:09
Juventus konfirmon se nuk do të apelojë vendimin e UEFA-s

Juventus ka konfirmuar se nuk do të apelojë vendimin e UEFA-s, që i përjashtoi nga Liga e Konferencës.

UEFA njoftoi zyrtarisht këtë të premte se ka marrë vendimin për përjashtimin e “Zonjës së Vjetër” nga garimi në Ligën e Konferencës për sezonin e ri.

Juventusi është dënuar gjithashtu me një gjobë prej 10 milionë eurosh, që mund të shkojë në 20 milionë, nëse klubi dështon në kërkesat e Fair Play Financiar gjatë tre viteve të ardhshme.

Ky vendim ndaj klubit nga Torino u mor për shkak të rastit të fitimeve kapitale. Juventusi ishte dënuar edhe nga Lega Serie A me minus 10 pikë në tabelë.

Klubi italian, përmes një njoftimi zyrtar të lëshuar sonte, zbuloi se nuk do të apelojë këtë vendim, pavarësisht se nga klubi thonë se janë të bindur në pafajësi.

Juventusi gjatë gjithë procesit – të paktën që kur presidenti Andrea Agnelli dhe i gjithë bordi i mëparshëm u larguan – pohoi se nuk kishte asgjë të keqe me mënyrën se si ata llogaritnin tarifat e transferimit dhe fitimet kapitale, por në të njëjtën kohë nuk bënë shumë “luftë” me ankesa.

“Bianconerët” preferuan të merrnin një qasje më të butë duke bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë fillimisht me Federatën e Italisë (FIGC) dhe më pas me UEFA-n, për t’i ikur dënimeve më të rënda të mundshme. 

(Kosova Sot Online)