“Klimë dhune”: ultrasit e futbollit serb në qendër të vëmendjes pas rrethimit të manastirit në Kosovë

  • S.A /
  • 11 October 2023 - 11:09
“Klimë dhune”: ultrasit e futbollit serb në qendër të vëmendjes pas rrethimit të manastirit në Kosovë

Në tribunën e stadiumit “Çika Daça”, një tifoz i maskuar i futbollit e thirri turmën që të ngrihej në këmbë dhe t’i ngriste duart lart.

“Tre, dy një…”, burri e nisi një numërim mbrapsht përmes altoparlantit të tij.

“Kosova është Serbi”, bërtitën njëzëri disa qindra tifozë, pak minuta para se të fillonte loja.

Tifozë mysafirë ishin anëtarë të tifo-grupit “Delije”, emri i ultrasve famëkeq të Crvena Zvezdës së Beogradit, të cilët për një kohë të gjatë e kishin një reputacion negativ pasi njiheshin për shkaktimin e dhunës dhe janë të njohur për pikëpamjet e tyre nacionaliste të pikës më të lartë të mundshme.

Vetëm për ta parë ekipin e tyre të zemrës, tifozët kishin udhëtuar të shtunën që shkoi në qytetin industrial të Kragujevcit, 90 minuta rrugë me makinë në jug të Beogradit, transmeton "Kosova Sot Online". 

Këngët e tyre pro-serbe u duartrokitën dhe u përsëritën nga tifozët e ekipit vendës, Radniçki 1923, të ulur në ndenjëset e betonit në anën tjetër të stadiumit, shkruan mediumi britanik “The Guardian”, i cili ia kushtoi një shkrim special situatës së fundit të krijuar në Kosovë.

Para se të mbyllej pjesa e parë, “Delije” e shfaqën banerin ku shkruante: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Pak vende në Ballkan e shfaqin dhe e zbulojnë politikën e paqëndrueshme etnike të rajonit, aq sa ndodh kjo në stadiumet e futbollit, ku tifozët rregullisht këndojnë dhe thirrin me sharje, të cilat i kujtojnë aksionet e spastrimit etnik të viteve të 90-ta.

“Ne duhet të mbarojmë punë me ta, t’i ndalojmë të zvarriten nëpër këmbët tona”, tha një tifoz llafazan dhe truphollë i Crvena Zvezdës, duke mos dashur ta tregonte emrin e tij.

Ai nuk ishte duket iu referuar ekipit kundërshtar, por popullatës etnike shqiptare, e cila e ka deklaruar pavarësinë nga Serbia 15 vjet më parë, pothuajse një dekadë pas kryengritjes guerile kundër sundimit serb.

Pjesa më e madhe e lojës u përshkua me hedhjen e fishekzjarrëve dhe e mjeteve të tjera plasëse, ndërsa loja e futbollit për tifozët ishte në plan të dytë.

Ultrasit e klubit serb, njëjtë si të tjerët në atë ditë, kishin veshur fanella me fytyrën e Stefan Nedeljkovic, njërit prej tre serbëve etnikë të vrarë pas pritës që ia bënë Policisë së Kosovës, paraushtarakët serbë, që rezultoi me vrasjen e një pjesëtari të Policisë kosovare, duke bërë që të shkaktohej kaosi dhe kriza më e madhe rajonale mes Beogradit dhe shtetit të pavarur të Kosovës.

Beteja mes Policisë së Kosovës dhe 30 serbëve të armatosur rëndë dhe të strehuar në manastir përkohësisht, e ktheu atë fshat të qetë të Veriut të Kosovës në zonë lufte.

Rreth 50 mijë serbë që jetojnë në Veriun e Kosovës nuk i pranojnë dhe nuk i njohin institucionet e Prishtinës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre.

Ata janë përleshur shpesh me Policinë e Kosovës dhe me paqeruajtësit ndërkombëtare, por dhuna e muajit të kaluar ishte më e keqja dhe më e tmerrshmja ndër vite.

“Stefan është hero dhe duhet hakmarrje për vdekjen e tij”, thotë një tifoz i Crvena Zvezdës duke e treguar fanellën e tij me terroristin serb.

Ultranacionalizmi është një terren familjar për tifozët e Zvezdës.

Themeluesi i klubit e kishte përshkruar atë si rojtarin e identitetit serb dhe të besimit ortodoks.

Por, kritikët e liderit serb, Aleksandar Vuçiq thonë se përzierja e fuqishme e presidentit të shovinizmit etnik dhe demagogjisë, e cila i ngjan asaj të presidentit rus, Vladimir Putin, i ka lejuar dhe i ka ngjallur edhe më shumë ndjenjat ultranacionaliste që të rriten edhe jashtë stadiumeve të futbollit në Serbi.

“Një pjesë e urrejtjes së nxitur nga huliganët është normalizuar plotësisht në shoqëri. Mesazhet e tyre anti-perëndimore e kanë përfshirë krejt vendin”, thotë Vladimir Arsenijeviç, një shkrimtar i shquar serb që e udhëheq organizatën joqeveritare “Krokodil”, një grup që promovon dialogun dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor.

Një sondazh i realizuar vitin e kaluar e tregoi për herë të parë në dy dekada se numri i serbëve që janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian është më i lartë se i atyre që duhen të bëhen anëtarë të BE-së, një dëshmi kjo e retorikës autoritare dhe anti-perëndimore të Qeverisë serbe në politikën e jashtme.

Në teori, një kandidat për t’u anëtarësuar në BE, ky vend është i ndarë mes perëndimit të Rusisë, një aleat tradicional i sllavëve tradicionalë dhe i të krishterëve ortodoksë.

Teksa po e konsolidonte fuqinë dhe pushtetin, Vuçiq, i deklaruar publikisht si një tifoz i Crvena Zvezdës, në mënyrë të qëndrueshme e transformoi Serbinë në një autokraci.

Kundërshtari i Vuçiqit, Arsenijeviç e akuzoi atë se e ka marrë kontrollin e mediave përmes kompanisë shtetërore të telekomunikacionit që i blenë stacionet televizive lokale, për të cilat Arsenijeviç thotë se janë jetike për promovimin e kulturës së dhunës.

Udhëheqësi serb ka kërkuar po ashtu t’i gjykojë dhe t’i bashkojë huliganët e futbollit, thotë James Montague, një studiues që e ka studiuar gjerësisht botën e dhunshme dhe komplekse të tifozëve në Serbi.

“Vuçiq e kuptoi se kjo është një zonë e fuqishme dhe e rrezikshme, që mund të bëjë që ta bëjë ose ta rrëzojë një president”, theksoi Montague.

“Ultrasit mund të mobilizohen shpejt për qëllime politike nëse është e nevojshme. Në të njëjtën kohë, autoritetet dëgjojnë me kujdes se çka thuhet dhe se çka bërtasin tifozët nëpër tribuna.”.

Ndonëse ultrasit e Crvena Zvezdës nuk marrin pjesë direkt në dhunën ndër-etnike, siç kishte ndodhur në vitet e 90-ta kur shefi i luftës, Arkan e komandonte një grup huliganësh, ata ende shfaqen në skena që e përfshijnë rrahjen e grave apo edhe ndërprerjen e marshimeve të LGBTQ+ në Beograd.

Vuçiq, i cili rrënjës politike i ka të nacionalizmit ekstrem të djathtë, e kishte dhënë një intervistë duke treguar se si kishte qenë në tribuna gjatë një lufte mitike të futbollit në vitet e 90-ta mes Crvena Zvezdës dhe Dinamo Zagrebit, e cila konsiderohet edhe si shkak i fillimit të vërtetë të luftërave ballkanike.

Duke ecur nëpër Begrad, një tjetër gjurmë e dukshme e nacionalizmit serb është e vështirë të injorohet, shton mediumi britanik “The Guardian”, përcjell “Gazeta Express”.

Mes butikëve dhe kafeneve në qytet, mund të dallohen lehtësisht murale pro-ruse dhe ultranacionaliste, shpesh të përziera me fytyrat e tifozëve të vrarë të futbollit dhe të kriminelëve famëkeq të luftës, duke e përfshirë këtu edhe ish-komandantin serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç.

“Duke jetuar mes këtyre muraleve, të prishet mendja”, thotë tutje Arsenijeviç.

Një pjesë e punës thelbësore të OJQ-së “Krokodil” është lufta kundër muraleve në të gjithë vendin që grupi në fjalë konsideron se “e miraton urrejtjen, racizmin dhe seksizmin”.

“Duke i parë vazhdimisht muralet, njerëzit që do të ishin më të denjë, i pranojnë pak nga pak këto mesazhe urrejtjeje. Në fund, kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë me situatën politike me Kosovën”, vazhdoi Arsenijeviç.

Në terren në veriun e Kosovës, Jovana Radosavljeviç thotë se ndien që marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve po përkeqësohen, pas luftimeve të fundit.

“Ju mund ta shihni ndryshimin e sjelljes së njerëzve. Kjo është diçka që më shqetëson mua”, tha Radosavljeviç, e cila e kryeson Iniciativën E Re Sociale, një OJQ që punon në pajtimin e komuniteteve etnike.

Por, përkundër tensioneve në rritje, analistët besojnë se nuk ka gjasa që Vuçiq, duke e përmendur një kërcënim për pakicën serbe që jeton në Veriun e Kosovës, do të sjellë trupa përtej kufirit dhe ta aneksojë rajonin, një skenar që i mban zgjuar natën politik bërësit perëndimorë.

“Ne nuk po i afrohemi një përshkallëzimi të ri: nuk do të ketë luftë siç e kemi para në vitin 1999”, thotë Ivan Vejvoda, një anëtar senior i Institutit të Shkencave Humane në Vjenë.

“Politikanët serbë e kuptojnë shumë mirë që nuk duhet të hysh në thes dhe ta prekin NATO-n”, shton Vejvoda, duke iu referuar rreth 4,000 ushtarëve të NATO-s, që aktualisht operojnë në Kosovë.

Pas paralajmërimeve të SHBA-ve se mund të përballen me masa ndëshkuese për atë që Shtëpia e Bardhë e quajti një grumbullim “të paprecedent” të trupave dhe blindave serbe në kufi, Vuçiq njoftoi se e kishte tërhequr një pjesë të trupave të tij nga kufiri me Kosovën.

Sidoqoftë, pavarësisht shenjave të parë që kriza është zbutur, Arsenijeviç mbetet i zymtë dhe në dyshim për të ardhmen e afërt të Serbisë.

“Shoqëria e jonë është një spirale në rënie”, thotë ai.

Derisa Arsenijeviç i përshëndeti dhe i mirëpriti protestat e fundit kundër dhunës, në të cilat u mblodhën mijëra njerëz në Beograd pas të shtënave mes grupeve që i lanë të vrarë 18 njerëz, ai frikësohet se shoqëria do të vazhdojë të jetojë me gjendjen e “tensioneve të vazhdueshme”.

“Autoritetet po mbajnë klimë dhunë”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online )