Xhaka pranon se ndaj Kosovës është ndeshje e veçantë
A.P
Kombëtarja e Kosovës nesër do të jetë nikoqire e Zvicrës, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
Në prag të kësaj ndeshje, këtë të premte në konferencën për media në Prishtinë u paraqit Granit Xhaka.
Ai e vlerësoi ndeshjen ndaj Kosovës si shumë të veçantë.
“Një lojë e vecantë, për mua dhe familjen. Jam shumë i kënaqur që jam këtu. Nesër ndeshja do të jetë më shumë emocione. E njohim mirë Kosovën dhe lojtarët. Jemi përgatitur shumë mirë si gjithmonë. Nesër duhet me e tregu vetën në fushë”, tha kapiteni i “Helvetikëvë”.
Tutje, Xhaka foli edhe për futbollistët që po luajnë për kombëtaret tjera, para Kosovës.
“Besoj se është pytje e vështirë për t’u përgjigjur saktë. E shoh si diçka pozitive, sepse kemi tri-katër kombëtare të mëdha. Gjithkush duhet me vendos për vetën se ku dëshiron me shku dhe çfarë dëshiron me bo, është e vështirë për t’u përgjigjur”, tha mesfushori i Bayer Leverkusenit.
“Ju e dini se une ndihna si në shtëpi këtu, edhe familja ime. Ndihem krenar që jam sot këtu. Shpresoj që nesër, edhe pse me fanellë tjetër, ju bëjë edhe juve të lumtur. Babai im dhe xhaxhai im, i cili jeton këtu, do jenë nesër në stadium. Do të jenë edhe anëtarë të tjerë të familjes”, u shpreh Xhaka.
Në pyetjen nëse Xhaka do të pranonte që nesër ndeshja të mbyllej baras, ai duke qeshur tha: “S’ka përgjigje”.
Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
(Kosova Sot Online)