Asllani thotë se nuk është e lehtë të luash për Interin

  • A.P /
  • 13 October 2023 - 18:52
Asllani thotë se nuk është e lehtë të luash për Interin

Kristjan Asllani ka folur për konkurrencën e tij me Hakan Calhanoglu dhe dëshirën për të luftuar deri në fund, për të provuar veten te Interi.

Mesfushori iu bashkua “Nerazzurrëve” nga Empoli në verën e vitit 2022, fillimisht në formë huazimi përpara se të bënte një lëvizje të përhershme një vit më vonë.

Asllani ka luftuar për një kohë të qëndrueshme loje që nga ardhja e tij në Inter. Në sezonin debutues, ai luajti për 858 minuta në total. Kurse, deri më tani në këtë sezon ka luajtur vetëm 126 minuta në gjashtë ndeshje.

Duke folur për “TV Klan”, Asllani fillimisht ka diskutuar luftën e tij për t’u futur në ekipin e parë të Interit, konkurrencën me Calhanoglu dhe rolin që dëshiron të luajë.

“Kam një kundërshtar të fortë në Hakan Calhanoglu, një nga tre më të mirët në rolin e tij nga i cili po mësoj shumë. Por unë nuk do të dorëzohem dhe do të luftoj deri në fund. Më duhet të punoj më shumë në fazën e mbrojtjes. Unë ende dua të rritem fizikisht dhe më duhet të fitoj më shumë minuta. Do të mund të shfrytëzoj minutat e duhura dhe nuk do të ndalem së punuari për të fituar besimin e trajnerit. Nuk është e lehtë, duke qenë se unë luaj për Interin. Gjithashtu dua t’i kushtoj shumë kohë stërvitjes. Kam ardhur në Inter për të luajtur rolin që kam luajtur edhe në ekipin e të rinjve të Empolit. Në minutat që më japin do të duhet të jap maksimumin”, tha reprezentuesi i Shqipërisë.

Më pas, 21-vjeçari u pyet nëse mendon se Inzaghi e ndjek kombëtaren e Shqipërisë kur luan.

“Nuk e di, mendoj se po. Megjithatë, unë jam gjithmonë i lumtur, si këtu ashtu edhe te Interi”, tha mesfushori.

Kristjan Asllani ka kontratë të vlefshme me Interin deri në verën e vitit 2027. 

(Kosova Sot Online)