Pas sezonit fantastik, Ballkanit do t’i largohen së paku tre nga yjet kryesor

  • S.A /
  • 23 May 2024 - 11:54
Pas sezonit fantastik, Ballkanit do t’i largohen së paku tre nga  yjet kryesor

Ballkani e ka fituar Kupën e Kosovës në futboll për herë të parë në histori të klubit. Pasi e siguroi titullin e tretë radhazi të kampionit, suharekasit triumfuan pas penalltive ndaj Prishtinës në finale të Kupës, transmeton "Kosova Sot Online".

“Xhebrailat” e mbyllën sezonin në mënyrë fantastike, ndërsa shkëlqyen në dy sezonet e fundit edhe në garat evropiane.

Por, padyshim pas këtij suksesi, ekipit nga Suhareka i zbehet pak festa, pasi dy lojtarë e kanë konfirmuar largimin nga klubi pas përfundimit të këtij sezoni.

Mbrojtësi Armend Thaqi, e mesfushori Edvin Kuç e kanë konfirmuar largimin nga Ballkani.

Dyshja e dha këtë lajm pasi arritën ta fitonin trofeun e Kupës së Kosovës.

Përpos që e konfirmuan largimin nga Suhareka, ata i kanë bërë të ditur edhe skuadrat ku do të transferohen.

Mbrojtësi Thaqi konfirmoi se ndeshja me Prishtinën do të jetë edhe e fundit për të me klubin aktual.

Ai iu gëzua trofeut, ndërsa tregoi se ka arritur marrëveshje me klubin e Cluj për sezonin e ardhshëm.

Sipas Thaqit, ka qenë trajneri Dan Petrescu, që e drejton këtë skuadër, që e ka kërkuar me ngulm.

“Pas përfundimit të kësaj ndeshjeje e kam përfunduar edhe pjesën me Ballkanin. Sigurisht që është edhe ndeshja e fundit revyale ku do të na dorëzohet trofeu i titullit.”

“Pas përfundimit të kampionatit do ta vazhdoj karrierën jashtë vendit. Cluji do të jetë skuadra ime e re.”

Pas konfirmimit të largimit të Armend Thaqit nga Ballkani, edhe një tjetër futbollist i madh e njoftoi largimin.

Bëhet fjalë për kapitenin e suharekasve, Edvin Kuç, që e njoftoi largimin pas fitores në finale të Kupës së Kosovës.

Futbollisti shqiptar nga Mali i Zi tha se karrierën do ta vazhdojë në Azerbajxhan, në skuadrën Neftçi Baku.

“Të gjithë më përkrahën kur erdha në Kosovë. Po shkoj si fitues i krejt trofeve. Besoj që ka ardhur koha të largohem. Karrierën do ta vazhdoj në Azerbajxhan te ekipi Neftçi Baku.”.

Një prej emrave të tjerë që është përmendur për ta lënë kampionin e trefishtë të Kosovës është edhe Lumbardh Dellova, por një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga lojtari apo edhe nga vetë klubi.

Mbetet të shihet në vazhdim nëse klubi që e shkroi historinë në garat evropiane do të mbetet edhe pa lojtarë të tjerë të cilët po joshen nga klube jashtë Kosovës, por edhe se cilat do jenë lëvizjet e ekipit “portokall e zi” për ta plotësuar boshllëkun e tyre.

Ballkani duhet të përforcohet gjithsesi me lojtarë cilësorë pasi përpara i ka garat evropiane, ku ishte jashtëzakonisht i suksesshëm në dy edicionet e fundit.

(Kosova Sot Online )