
Varane pensionohet nga futbolli

Raphael Varane ka njoftuar për pensionimin nga futbolli.
Ish-futbollisti i Real Madridit dhe Manchester Unitedit vendosi të tërhiqet nga futbolli para kohe.
Ish-përfaqësuesi francez është 31 vjeç aktualisht, shkruan “BBC”,
Ai iu bashkua ekipit italian, Como si transfer i lirë në korrik të këtij viti, por e pësoi një lëndim në gju në debutimin e tij kundër Sampdorias muajin e kaluar.
Qendërmbrojtësi thotë se do të qëndrojë në klub, por në një rol tjetër.
“Unë e mbaj veten në nivelet më të larta, dua të largohem i fortë”, shkroi futbollisti francez në rrjetin social “Instagram”.
“Të nevojitet një dozë e madhe e kurajës për ta dëgjuar zemrën tënde dhe instinktin”, vazhdoi ai.
Varane e nisi karrierën në ekipin francez, Lens, por e kaloi vetëm një sezon aty para se t’i bashkohej Real Madridit në vitin 2011.
Aty i shijoi 10 vjet të karrierës, duke i fituar 18 trofe me gjigantin spanjoll, përfshirë këtu katër Liga të Kampionëve dhe tre La Liga.
Mbrojtësi lëvizi drejt “Old Trafford” në verën e vitit 2021 për afro 40 milionë euro, ndërsa i zhvilloi 95 ndeshje në të gjitha garat.
Ai e fitoi Carabao Cup në vitin 2022 dhe në paraqitjen e fundit me klubin nga “Teatri i Ëndrrave” triumfoi në finale të FA Cup duke e mposhtur rivalin e qytetit, Manchester City në Wembley në muajin maj.
(Kosova Sot Online)