
Barcelona ia cakton çmimin Gerard Martinit

Barcelona pritet të ndahet me disa lojtarë këtë verë, dhe njëri prej tyre mund të jetë në rrugë për në Premier League.
Lojtarë si Andreas Christensen, Pablo Torre dhe Ansu Fati pritet të largohen nga Barcelona gjatë dritares së dytë të transferimeve këtë verë, që hapet në fillim të korrikut. Dhe në ditët e fundit është bërë e ditur se edhe një lojtar tjetër i ekipit të parë mund të lëvizë – bëhet fjalë për Gerard Martin.
Martin, i cili ishte zëvendësues i Alejandro Balde në pozicionin e mbrojtësit të majtë gjatë gjithë sezonit të kaluar, ka tërhequr interesin e Wolves. Klubi i Premierligës është në kërkim të një zëvendësuesi për Rayan Ait-Nouri, i cili po kalon te Manchester City, dhe ndër opsionet e tyre është edhe lojtari i Barcelonës.
Sipas raportimit të Sport, Barcelona është e hapur për shitjen e Martin, megjithatë ai nuk ishte një prej lojtarëve që pritej të largoheshin këtë verë. Ata janë gati të pranojnë një ofertë në rreth 12 milionë euro, që do të përfaqësonte një fitim të mirë për një lojtar që u transferua nga UE Cornella dy vite më parë.
(Kosova Sot Online)