Araujo rikthehet në aksion për Barcelonën
Barcelona ka mbetur me vetëm tre mbrojtës qendrorë javët e fundit, por së shpejti Hansi Flick mund të ketë edhe një alternativë tjetër në dispozicion. Aktualisht, ai ka Pau Cubarsín, Gerard Martín dhe Eric García, por që nga kjo javë mund të rikthejë në skuadër shërbimet e nënkapitenit Ronald Araújo.
Barcelona ka qenë pa Araújon që nga fundi i nëntorit, kur ai u përjashtua me karton të kuq në humbjen në Ligën e Kampionëve ndaj Chelseat. Ditët pas asaj ndeshjeje, mbrojtësi kërkoi pushim, pasi u bë e ditur se kishte pasur vështirësi me gjendjen e tij mendore për disa javë.
Araújo është rikthyer në stërvitje prej një jave dhe po i afrohet rikthimit në fushë. Kjo mund të ndodhë që më vonë gjatë kësaj jave, kur Barcelona të përballet me Athletic Bilbaon në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, pasi MD ka raportuar se mbrojtësi do të jetë pjesë e delegacionit katalanas që do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite.
Araújo po i afrohet formës së plotë fizike për ndeshje, por pyetja kryesore mbetet nëse ai është gati nga ana mendore për t’u rikthyer. Vendimi do të merret në bashkëpunim mes lojtarit dhe departamentit mjekësor të Barcelonës, ndërsa Flick e ka bërë të qartë se nuk do ta nxitojë rikthimin e reprezentuesit uruguaian.
Ndërkohë, javët e fundit Barcelona ka intensifikuar përpjekjet për të transferuar një mbrojtës të ri qendror, duke identifikuar disa objektiva. Ky plan do të mbetet i pandryshuar edhe pas rikthimit të Araújos, pasi për pjesën e dytë të sezonit nevojitet një zëvendësim për Andreas Christensen, i cili së fundmi është lënduar.
Barcelona shpreson që Araújo të rikthehet në nivelin e tij më të mirë gjatë javëve dhe muajve në vijim, por deri atëherë klubi është i përgatitur të presë me durim momentin kur ai do të ndihet gati për t’u kthyer në aksion.
(Kosova Sot Online)
