United triumfon në derbin ndaj Cityt
Michael Carrick e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij si trajner i Manchester Unitedit. “Djajtë e Kuq” regjistruan një fitore të madhe në derbin e Mançesterit, duke mposhtur pastër 2:0 Manchester Cityn në “Old Trafford”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në Premierligë.
Që në pjesën e parë, Manchester United dha sinjale pozitive, duke u shfaqur më kërkues dhe më agresiv në lojë. Raste të pastra shënimi nuk munguan, ndërsa Harry Maguire ishte shumë pranë golit, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Epërsia u konkretizua në minutën e 65-të, kur pas një kundërsulmi të shpejtë dhe të bukur, Bryan Mbeumo shënoi golin e avantazhit, pas asistimit të saktë nga Bruno Fernandes.
Vetëm 11 minuta më vonë, vendasit goditën sërish, kësaj radhe nëpërmjet Patrick Dorgut, i cili realizoi pas një pasimi vendimtar nga Matheus Cunha.
Manchester City tentoi të reagojë në minutat e mbetura, por u përball me një mbrojtje shumë të organizuar dhe të disiplinuar të Unitedit, që nuk lejoi hapësira dhe e ruajti avantazhin deri në fund.
Kjo fitore e ngjit përkohësisht Manchester Unitedin në vendin e katërt të tabelës me 35 pikë, duke rritur besimin dhe optimizmin në “Old Trafford”.
Në anën tjetër, humbja përbën një tjetër goditje për Manchester Cityn, që regjistron ndeshjen e tretë radhazi pa fitore në Premierligë.
Aktualisht, City mbetet në vendin e dytë me 43 pikë, gjashtë më pak se Arsenali kryesues, i cili ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
(Kosova Sot Online)
