Juventusi e transferon En-Nesyrin nga Fenerbahçe
Disa media në Itali po raportojnë se Juventusi ka arritur një marrëveshje të plotë si me klubin ashtu edhe me lojtarin për ta sjellë Youssef En-Nesyri në Torino nga Fenerbahçe gjatë muajit janar.
Juventusi ka shpresuar të shtojë një sulmues qendre në janar: Dusan Vlahovic është jashtë për shkak të një dëmtimi afatgjatë dhe ndodhet në muajt e fundit të kontratës së tij, ndërsa Jonathan David dhe Lois Openda ende nuk kanë bindur në rolin e numrit 9 për Zonjën e Vjetër.
Pavarësisht sugjerimeve se Juventusi ishte i interesuar për një marrëveshje me Jean-Phillippe Mateta të Crystal Palace, bardhezinjtë kanë lëvizur për të siguruar një marrëveshje me Fenerbahçen për 28-vjeçarin, përfaqësuesin e Marokut, En-Nesyri.
Drejtori sportiv i Juventusit, Marco Ottolini, ka qenë në Stamboll ditët e fundit në përpjekje për të mbyllur marrëveshjen si me Fenerbahçen ashtu edhe me vetë lojtarin.
Sipas mediave si La Gazzetta dello Sport, Corriere dello Sport dhe Gianluca Di Marzio, Juve ka siguruar një huazim fillestar për En-Nesyri me kosto 3 milionë euro, me një opsion blerjeje në të ardhmen për 17 milionë euro shtesë. Juventusi do të mbulojë gjithashtu plotësisht pagën e En-Nesyri-t, gjë që do t’i shtojë rreth 4 milionë euro të tjera kostos totale të marrëveshjes deri në fund të sezonit 2025-26.
Disa raportime pretendojnë se Juventusi shpreson që En-Nesyri të mbërrijë në Itali së bashku me Ottolini të shtunën.
Megjithatë, nuk ka ndonjë nxitim të menjëhershëm, pasi marokeni nuk do të regjistrohet në kohë për të luajtur kundër Napolit të dielën dhe nuk do të ketë të drejtë të luajë në Ligën e Kampionëve deri në përfundim të fazës së ligës. Kjo do të thotë se ndeshja e Serie A kundër Parmës më 1 shkurt është një datë reale për një debutim të mundshëm.
Raporte të tjera thonë se En-Nesyri ka shumë gjasa të kryejë vizitat mjekësore në Torino të hënën.
(Kosova Sot Online)
