12 vjet pas aksidentit përmirësohet gjendja e Schumacherit
Kampioni legjendar i Formula 1, Michael Schumacher, nuk është më i detyruar të qëndrojë vazhdimisht në shtrat, 12 vjet pas dëmtimit të rëndë në kokë që pësoi gjatë një aksidenti me ski në Alpet Franceze në vitin 2013.
Burime pranë familjes kanë bërë të ditur për mediat se ish-piloti 57-vjeçar tashmë është në gjendje të ulet në karrocë dhe të lëvizë brenda pronave të tij në Majorka dhe pranë Liqenit të Gjenevës, shkruan mediumi britanik “Daily Mail”.
Ky zhvillim shihet si një hap i vogël, por domethënës, në gjendjen e tij shëndetësore.
Schumacher vazhdon të jetë nën kujdes të vazhdueshëm 24 orë në ditë nga bashkëshortja e tij, Corinna, si dhe nga një ekip i specializuar mjekësh.
Sipas burimeve, ai arrin të kuptojë disa nga ngjarjet që ndodhin rreth tij, megjithëse jo plotësisht.
Që nga dita e aksidentit, Michael Schumacher nuk është shfaqur asnjëherë në publik, ndërsa familja ka ruajtur një privatësi të rreptë lidhur me gjendjen e tij.
Në vitin 2024 u përhapën spekulime se ai mund të merrte pjesë në dasmën e vajzës së tij, Gina-Maria, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Vitin e kaluar, tre ish-punonjës të familjes u dënuan pasi kërcënuan të publikonin qindra fotografi të Schumacher në gjendjen e tij aktuale, duke shkelur rëndë privatësinë e familjes.
Së fundmi, vajza e tij ndau një foto të rrallë familjare, të realizuar përpara aksidentit, e shoqëruar me mbishkrimin prekës: “Më të mirat përgjithmonë. Gëzuar ditëlindjen baba.”
(Kosova Sot Online)
