Arbeloa ankohet në referim pas humbjes së Realit

  • A.P /
  • 03 March 2026 - 13:30
Arbeloa ankohet në referim pas humbjes së Realit

Pas humbjes së befasishme 0-1 në shtëpi nga Getafe, trajneri i Real Madrid, Álvaro Arbeloa, u shpreh kritik ndaj gjyqtarit për mënyrën se si u zhvillua takimi, duke nënvizuar se shumë ndërprerje dhe faulle e ndërtuan një ndeshje të çrregullt që i penalizoi “Los Blancos”.

Në konferencë për shtyp, Arbeloa tha se skuadra e tij pati mundësi më të qarta për të shënuar sesa kundërshtari, por gjyqtari e lejoi një stil loje me shumë ndalime dhe mbajtje, çka e vështirësoi ritmin e Realit.

“Kemi pasur raste më të qarta se Getafe. Gjyqtari e lejoi këtë lloj ndeshjeje, me shumë ndërprerje dhe zhagitje. Nuk është një kritikë ndaj tyre si ekip – ata e bëjnë atë që e lejon drejtuesi i ndeshjes.”

Arbeloa u ndal edhe te reagimet e tifozëve në stadiumin Santiago Bernabéu, veçanërisht ndaj Thiago Pitarch kur u zëvendësua – moment që nxiti përdorimin e heshtjeve dhe fishkëllimave nga publiku.

Ai e pranoi se lojtarë si Pitarch e meritonin përkrahjen e tifozëve për paraqitjen e tyre.

Megjithatë, trajneri e mbajti një qëndrim optimist për të ardhmen.

“Janë ende 36 pikë për t’u fituar dhe Real Madrid nuk dorëzohet kurrë. Mendojmë se mund t’i rikuperojmë.”

Ai gjithashtu e pranoi përgjegjësinë për rezultatin dhe kritikoi dobësitë në fazën sulmuese kundër një mbrojtjeje të mbyllur.

Përballja me Celta de Vigo do t’i gjejë Los Blancos pa disa lojtarë për shkak të suspendimeve, një tjetër sfidë që Arbeloa tha se duhet ta menaxhojnë pa gjetur justifikime.

Ky rezultat e përkeqëson pozicionin e Realit në La Liga, teksa humbja ia mundësoi Barcelonës shkëputjen prej katër pikësh në krye të tabelës.

(Kosova Sot Online)