Fabregas thotë se Como e meritoi fitoren ndaj Interit

  • A.P /
  • 04 March 2026 - 09:30
Fabregas thotë se Como e meritoi fitoren ndaj Interit

Trajneri i Comos, Cesc Fabregas, deklaroi se skuadra e tij “e meritonte fitoren” në barazimin 0-0 ndaj Inter në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, duke theksuar se zikaltërit “ndryshuan mënyrën e lojës” për të neutralizuar pikat e forta të Comos.

Como pati rastet më të mira, sidomos me Mërgim Vojvodën dhe një humbje të madhe nga Alex Valle nga pesë metra, ndërsa për Interin Matteo Darmian goditi shtyllën.

“Rezultati është ky që është, por mendoj se e meritonim të paktën një gol,” tha Fabregas për “Sport Mediaset”.

“Ishte një ndeshje si shah, shumë taktike. Përballë skuadrës më dominuese në Serie A, luajtëm lojën që donim. Ata patën vetëm një goditje në portë. Na mbetet pak shije e hidhur, sepse ndiejmë se mund ta fitonim 1-0”, shtoi ai.

I pyetur nëse kjo paraqitje ishte një lloj hakmarrjeje pas humbjes 4-0 në kampionat në dhjetor, Fabregas u përgjigj: “Hakmarrja është për humbësit. Ka njerëz që presin muaj të tërë që të gabosh për të të sulmuar. Ne jemi të përulur dhe të hapur për të mësuar.”

Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në “San Siro” më 21 ose 22 prill.

“Nuk e di nëse Interi është favorit tani. Ne jemi Como dhe ata janë Interi. Ka diferencë mentaliteti për momentin, por ne po përpiqemi të rrisim nivelin,” shtoi ai.

Fabregas theksoi se projekti i Comos ka nisur vetëm dy vite më parë, kur skuadra ishte në Serie B, dhe se objektivi është rritja graduale.

“Nuk mund ta fsheh që ëndrra është të vazhdojmë të rritemi dhe një ditë të sfidojmë për diçka më shumë. Por nuk duhet të harrojmë nga kemi ardhur,” përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)