Neymar me dëshirë për ta përfaqësuar Brazilin në 'Kupën e Botës 2026'
Neymar ka përsëritur dëshirën e madhe për ta përfaqësuar Brazilin në Kupën e Botës 2026, ndërsa pret me ankth publikimin e listës së Carlo Ancelottit.
Ylli i Santos foli gjithashtu për xhaketën e verdhë të Brazilit që veshi pas ndeshjes së fundit, duke zbuluar se ishte dhuratë personale nga Romeo Beckham, djali i Sir David Beckhamit.
Neymar tërhoqi vëmendjen pas humbjes 3-0 të Santos ndaj Coritibas në Serie A braziliane të dielën, kur u shfaq në zonën mikse me një xhaketë të gjelbër dhe të verdhë. Shumë tifozë e interpretuan si një mesazh të hapur për kombëtaren, por 34-vjeçari sqaroi se nuk kishte një prapavijë të tillë.
“Kjo xhaketë ishte dhuratë nga një miku im, djali i Beckhamit, Romeo Beckham”, tha Neymar për gazetarët. “Ai madje kishte shkruar diçka këtu për Lojërat Olimpike. I thashë se do ta vishja. Prandaj e vesha, jo për të dërguar ndonjë mesazh.”
Megjithatë, Neymar nuk e fshehu se po e pret me emocion listën e Brazilit.
“Të gjithë po e presin këtë, po presin thirrjen e nesërme. Pse të mos e vishja? Përveçse jam lojtar, dua të jem atje. Nëse nuk jam, do të jem thjesht një tjetër njeri që bën tifo për Brazilin në Kupën e Botës”, shtoi ai.
Edhe pse xhaketa ishte thjesht një dhuratë mes miqsh, ambicia e Neymarit për “Seleçaon” mbetet shumë serioze. Ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain ka kaluar një rrugë të vështirë rikuperimi, por vazhdon të synojë pjesëmarrjen në Botërorin 2026. Ai pranoi se ideja për të luajtur edhe një Kupë Bote ka qenë motivimi kryesor gjatë muajve të gjatë të rehabilitimit.
“Sigurisht, është ëndrra ime. Gjithmonë jua kam bërë shumë të qartë. Dua të jem në Kupën e Botës. Kam punuar për këtë”, tha Neymar.
Për më shumë se një dekadë, Neymar ka qenë figura kryesore e Brazilit. Ai ka kaluar edhe legjendën Pele si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares, ndaj përfshirja ose jo e tij në listë mbetet një nga temat më të mëdha të debatit në Brazil.
(Kosova Sot Online)
