Intervistë për “Kosova Sot”, me këngëtaren Gili Berani: Populli di t'i dallojë këngët e bukura (Foto/Video)

  • 23 March 2019 - 14:56
Intervistë për “Kosova Sot”, me këngëtaren Gili Berani: Populli di t'i dallojë këngët e bukura (Foto/Video)

"Një këngëtar, i cili mendon të qëndrojë gjatë në skenë, pa këngë hite do ta ketë vështirë" 

 

Fevzije Konushevci - Berani, e njohur me emrin artistik Gili tash e mëse tri dekada vazhdon të mbetet ndër emrat më të shquar të muzikës shqiptare.

Karriera muzikore e Gilit, fillon zyrtarisht në vitin 1985 me grupin "Trio Rona", së bashku me Ilirin dhe Aida Barkun, nga ku lindën këngët: "Stuhia", "Unë pa ty", "Fjollat", etj, që u mirpritën nga publiku dhe u shpërblyen nga festivalet e kohës.

Image

Pas mbylljes së instiucioneve nga regjimi i kohës, në fillim të viteve 90', konkretisht në vitin 1993, Gili do të fillonte karrierën solistike.

Albumet: "Lule manaferra" (1994), "Fol shqip" (1996), "Studenti" (1998), "Le të puthen" (1999), sollën një frymë moderne në estradën shqiptare të kohës jo vetëm në muzikë, por edhe me paraqitjet skenike të këngëtares duke shkëlqyer tamam si kënga e saj e famshme "Xixëllonja".

Për shumë gjenerata mbahet mend edhe puna e saj me fëmijë, edhe si drejtuese emisionesh në fillim të viteve 2000, kujtojmë "Nata me yje", pastaj ishte pjesë edhe në disa skeçe humoristike.

 

Pasaporta e vërtetë e Gilit, mbetën trembëdhejtë albumet e saja solistike: "Djali nga Kosova" (1993), "Viza C" 1995, "Fol Shqip" (1996),"Studenti" (1998), "Le te puthen" (1999), "Shigjeta e Amorit" (2001),"Aktore e përkryer" (2003), "Me Kast" (2004), "Dashnorja" (2005),"Dy Dakika" (2007), "20 Vjet në diasporë" (2008), "Fol për mua" (2010), "Sikur torta e martesës" (2014).

Image

Pa harruar edhe shumë këngë hite ndër vite e çmime të shumëta, që e bëjnë këngëtaren Gili Berani, yll të padiskutueshëm të muzikës shqiptare.

Në një intervistë për "Kosova Sot", ajo shpalos shumë gjëra rreth karrierës nga fillimet e gjër më sot, të cilat ju ftoj ti lexoni në vijim.

Image

“Kosova Sot”: Keni vite që jeni në skenë, megjithatë ende vazhdoni fuqishëm të jeni prezente dhe e dashur për publikun, cili është çelsi i suksesit?

Gili Berani: Në radhë të parë ta duash profesionin të cilin e ushtron, më pas përkrahja që kam nga partneri Iliri në muzikë, pasi që të dy jemi në profesionin e njejtë.Pastaj presioni që më bëjnë fansat, të realizoj këngë, albume e videoklipe të reja.E gjithë kjo përshkohet me dashurinë që kam ndaj këtij profesioni dhe padyshim që është një motivim me vazhdu përpara e më qenë një hap me kohën.

Image

“Kosova Sot”: Gjatë karrierës, keni realizuar shumë këngë, por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Gili Berani: Këngët më të dashura për mua, mbetën: "Prishtina", "Për mua qanë veç ajo që ka lindë", "Kur u ndamë", "Prapë se prapë", "Vitet e fundit", "Susta" dhe padyshim "Xixëllonja", e cila e ka vulos të gjithë karrierën time.

“Kosova Sot”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Gili Berani: Koha kur ishim fëmijë me prindërit, vllëzërit dhe motrat, ditët e shkollës, kur këndonim në kor në raste festash, kam kaluar vërtetë çaste të lumtura në një lagje në periferi të Prishtinës dhe kam nostalgji për ato vite.

Image

“Kosova Sot”: A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Gili Berani: Hmmm...shumë, Iliri vazhdimisht është një lloj fabrike e këngëve, unë kam fatin ti dëgjoj e para demo ingjizimet.Shumë këngë edhe pse janë hit, e di që nuk i përshtaten karakterit tim, andaj edhe nuk i këndoj.

“Kosova Sot”: Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtare të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtare e pëlqyer sot pa provokime?

Gili Berani: Jo për fat të keq, në disa media elektronike më shumë lë përshtypje një lajm i keq për tu klikuar.Megjithatë një këngëtarë, i cili mendon me qëndru gjatë në skenë, pa këngë hite do ta ketë vështirë.Kënga është primare, për një këngëtarë


 

“Kosova Sot”: Kënga e fundit që keni realizuar titullohet “Susta”, në bashkëpunim me Burakun, sa jeni ndarë e kënaqur me këtë projekt?

 

Gili Berani: Jam shumë e kënaqur, sepse Buraku është ndër këngëtaret e ri, i cili punon shumë dhe është shumë i talentuar, andaj na ka ra në sy si këngëtar i mirë.Prandaj vazhdimisht në karrierën time, kam pasur dëshirë të bashkëpunojë me këngëtarë të cilët janë dalluar.

"Susta", është një këngë me një tekst dhe orkestrim shumë të bukur, gjithashtu dhe videoklip, andaj besoj se është një projekt shumë i qëlluar.

Image

“Kosova Sot”: A e kanë trashëguar talentin për të kënduar ndonjëri nga dy djemët e tu?

Gili Berani: Njëherë për njëherë nuk ka ndonjë sinjal, por ta shohim çfarë do të ndodhë më vonë.

“Kosova Sot”: Kur përmenden “Akordet e Kosovës”, çfarë iu bie ndërmend?

Gili: Më bie ndërmend një jetë e tërë, një jetë e lumtur muzikore, në "Akordet e Kosovës" nuk ke mundu të marrësh pjesë, pa ditur të këndosh live, pa e pasur një ngjyrë të vokalit, dhe mbi të gjitha pa pasur kulturë që i përgjigjet festivalit.

"Akordet e Kosoves", kanë qenë gjëja më e bukur që ka mundur të ndodh në Kosovë.Dhashtë "Zoti", që ndonjëherë të ketë ndonjë festival të nivelit të tij.

Image

“Kosova Sot”: Muzika sot tek shqiptarët më shumë dëgjohet, apo “shikohet”?

Gili Berani: Që të dyja bashkë, populli din ti dallojë këngët e bukura.Pse jo, nëse ajo këngë arrin të pëlqehet nga publiku.

“Kosova Sot”: Keni një karrrierë të begatë, kjo falë edhe Ilirit bashkëshortit tuaj i cili ka goditur me tekstet e tij, por a ka menduar ndonjëherë Gili ta ndërroj tekstshkruesin qoftë edhe vetëm për një këngë?


Gili: E kam një bashkëpunim me Avni Qailin, "Amazone jam", këngët e tjera janë të gjitha nga Iliri.

 

“Kosova Sot”: A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album?

Gili Berani: Mendoj ta editoj albumin, sepse i kam disa këngë të cilat nuk janë të përfshira në album, dhe do të doja ti kem në një përmbledhje të gjitha ato këngë.Natyrisht ti realizoj edhe disa këngë të reja, dhe ta publikoj albumin e 15 më radhë.

Image

 

“Kosova Sot”: Cila është motoja që Gili përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë?

Duajeni familjen, aplikoni vlerat e demokracisë, lirinë personale së pari në familje, e pastaj do të jemi qytetarë të mirëfilltë, të kësaj Kosovës tonë të dashur.

Intervistoi: Armend Preteni

(Kosova Sot)