Ed Sheeran i frustruar që u vlerësua me vetëm një çmim, ndërkohë që Adeles iu dhanë tri

  • A.P /
  • 10 February 2022 - 17:06
Ed Sheeran i frustruar që u vlerësua me vetëm një çmim, ndërkohë që Adeles iu dhanë tri

Brit Awards është nata më e madhe në muzikën britanike – dhe edicioni i sivjetmë shpërbleu me çmime disa nga yjet më të famshëm britanikë si Adele dhe Ed Sheeran.

Por pasi ndryshuan formulën e çmimeve sivjet duke eliminuar kategoritë gjinore, organizatorët thuhet se janë përballur me kritika të shumta për reformat e reja.

Çmimet neutrale gjinore të së martës bënë që Brit Awards të kishte shikueshmërinë më të vogël në historinë e ITV  – kanali televiziv që e transmeton atë.

Pasi pranoi çmimin “Artisti i vitit”, këngëtarja Adele i tha audiencës: “E kuptoj pse kjo ka ndryshuar, por më pëlqen shumë të jem një grua dhe një artiste femër”.

Dhe ndërsa mbrëmja vazhdonte, një numër i madh i anëtarëve të industrisë së muzikës ishin të prirur të shprehnin zhgënjimet e tyre.

Ata theksuan se formati i ri i çmimeve “i grabiti” super yllit tjetër Ed Sheeran një nga çmimet kryesore, për çka burimet pranë tij thonë se ai ishte i frustruar.

Tradicionalisht në Brit Awards janë dhënë çmimet “Artisti i vitit” dhe “Artistja e vitit”, por sivjet me eliminimin e kategorive gjinore, kishte vetëm një çmim përmbledhës për “Artistin më të mirë të vitit” (pa gjini).

Burimet thonë se Ed Sheeranit iu la çmimi ngushëllues, “Kantautorit të Vitit” – një çmim i cili nuk ishte dhënë kurrë më parë në një shfaqje si kjo.

Në krye të albumit të tij të pestë jashtëzakonisht të suksesshëm, Ed njihet gjithashtu si kantautor që ka kompozuar hite të mëdha për artistë të famshëm si: Rita Ora, Anne-Marie, BTS dhe Maisie Peters dhe ka bashkëpunime me emra të famshëm si Elton John, Ghetts dhe Taylor Swift.

Një burim i brendshëm pranë këngëtarit tha duke komentuar ngjarjen: “Nuk kishte ndodhur më parë. Gjithçka që ka bërë ky ndryshim në Brit Awards është ‘vjedhja’ e një prej çmimeve të mëdha që me rregull do të duhej t’i takonte Edit”.

“Ai ka pasur një vit të jashtëzakonshëm dhe ishte padyshim i barabartë me Adelen për sa i përket suksesit të tij”, tha ky burim.

“Albumi i tij ka gjeneruar hit pas hiti dhe ai ishte padyshim ylli mashkull më i madh i 12 muajve të fundit”, theksoi burimi.

“Të shpërblesh me çmime dy emra të mëdhenj britanikë që kanë korrur sukses në mbarë botën për muzikën pop nuk është gjë e keqe, por ka rezultuar shkurtpamëse nga ana e organizatorëve të Brit Awards”, tha i brendshmi.

Një burim tjetër tregoi se Ed ishte gjithashtu i frustruar nga kategoritë e reja, duke shtuar: “Ed e do Brit Awards-in dhe ai kujdeset për këto gjëra”.

“Ai kishte një natë të mrekullueshme dhe dy performancat e tij dolën shkëlqyeshëm, por mënyra se si shkuan gjërat me çmimet ishte zhgënjyese”.

Shefat njoftuan se ceremonia do të ishte neutrale gjinore nëntorin e kaluar – duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Kjo nënkuptonte se kategoritë e vjetra “Artisti më i mirë ndërkombëtar (mashkull)” dhe “Artistja më e mirë ndërkombëtare (femër)” u zëvendësuan gjithashtu në një çmim të vetëm të quajtur “Artisti më i mirë ndërkombëtar (pa gjini)”.

Dhe shefat e Brit Awards sollën katër çmime të reja të bazuara në zhanër për të plotësuar shfaqjen.

Adele kryesoi mbrëmjen me tri çmime kryesore: “Artisti i viti”, “Kënga e vitit” për ‘Easy On Me’ dhe “Albumi i vitit” për albumin ‘30’.

(Kosova Sot Online)