Naziktere Iseini: Kënga shqipe është aq e bukur sa nuk ka nevojë për asnjë laramani tjetër

  • A.P /
  • 03 January 2025 - 08:00
Naziktere Iseini: Kënga shqipe është aq e bukur sa nuk ka nevojë për asnjë laramani tjetër

INTERVISTË ME KËNGËTAREN NAZIKTERE ISEINI

Këngëtarja e njohur Naziktere Iseini, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Kosova Sot Online”, ndër të tjera ka folur për eksperiencat e saj profesionale, realizimin e këngës së fundit, ndjesitë që ka ndaj skenës muzikore, për vlerat e artit shqiptar dhe jetën artistike në Maqedoninë e Veriut.

Image

Në vijim mund ta lexoni intervistën e plotë dhe të kuptoni më shumë gjëra rreth jetës dhe karrierës së këngëtares Naziktere Iseini.

Kënga e fundit që keni publikuar me videoklip titullohet "Një lule në Gostiviar" të cilën e sollët bashkë me disa nga kolegët tuaj, sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngës në tërësi?

Naziktere Iseini: "Një lule në Gostivar" është një këngë e realizuar me plot dashuri, së bashku me shumë kolegë të mrekullueshëm dhe të njohur në skenën muzikore shqiptare! Realizimi i këngës ka qenë një retrospektivë e artisteve që kanë qenë pjesë e saj në ato kohë, si i madhi Enver Stafai, që është edhe kompozitori i këngës, si dhe artistja e madhe Shaindere Berlajolli Stafaj, e cila e ka interpretuar këngën në festivalin "Akordet e Kosovës", ku ka fituar edhe çmimin e parë, "Okarina e Artë"! Ka qenë kënaqësi dhe krenari e madhe të jem edhe unë pjesë e kësaj kënge, ku me plot profesionalizëm, muzikanti mjaft virtuoz Astrit Stafaj ka realizuar një muzikë me elemente të reja dhe bashkëkohore!

Image

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Naziktere Iseini: Do të kisha veçuar një moment mjaft të paharruar nga fëmijëria ime. Ajo ishte pjesëmarrja në një festival ndërkombëtar, ku duhej të interpretoja një zhanër të country music. Kënga titullohej "Take Me Back" – ajo që asnjëherë nuk do ta harroj është se isha shumë e vogël dhe ende nuk i dija të gjitha fjalët në gjuhën angleze, dhe mësuesi i anglishtes ma mësoi tekstin fjalë për fjalë! Pasi vija nga një familje me kushte mesatare, por artëdashëse, nuk kisha shumë shpresa për ndonjë çmim. Aty kishte fëmijë me background shumë të pasur. Dhe ajo që unë nuk e prisja ishte çmimi i parë i jurisë profesionale! Janë këto eksperienca që gjatë gjithë jetës ngelen si kujtimet më të bukura të fëmijërisë!

Image

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Naziktere Iseini: Unë jam rritur dhe kam kënduar në kohën kur këngëtari nuk shihej, por vetëm dëgjohej! Gjithçka tjetër nuk vlen të diskutohet!

Image

A ka ndonjë moment që dëshironi ta ndryshonit në jetën dhe karrierën tuaj?

Naziktere Iseini: Do të kisha dashur që qasja në televizionet shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri, të ishte e njëjtë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se nga vijnë ata! Të u jepet po aq vëmendje sa u jepet atyre artistëve që jetojnë jashtë Maqedonisë! Nga eksperienca ime personale dhe e kolegëve të mi shqiptarë në Maqedoni, kemi hasur shumë peripeci, pasi televizionet maqedonase nuk na kanë avancuar, dhe ne kemi jetuar dhe vepruar si fëmijë jetimë! Mendoj se tani ka ndryshuar situata për mirë për artistët e rinj dhe shpresoj që të bëhet edhe më mirë në vitet që do të vijnë pas!

Image

Si e përjetoni reagimin e publikut kur performoni live?

Naziktere Iseini: Performimi live është një kënaqësi e madhe për artistin! Ka momente shumë të veçanta kur e ndjen se publiku është i kënaqur me mënyrën se si ti performon! Kjo është një përmbushje shpirtërore e pa shpjeguar!

Image

A ka ndonjë artist me të cilin dëshironi të bashkëpunoni, por ende nuk keni pasur mundësinë?

Naziktere Iseini: Duke marrë parasysh se bashkëpunimet janë shumë të rëndësishme, kam realizuar disa bashkëpunime deri tani! Kam shumë plane për bashkëpunime me artistë të ndryshëm, të cilët shpresoj se do të rezultojnë me sukses!

Image

Si është jeta artistike në qytetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut pëtej dasmave dhe ahengjeve familjare?

Naziktere Iseini: Jeta artistike në qytetin tonë mund të llogaritet mjaft e pasur! Edhe pse një qytet i vogël, me një fanatizëm të madh ruhen vlerat e këngëtarëve që kanë lënë gjurmë në qytetin tonë dhe në të njëjtën kohë edhe të këngëtarëve të rinj, të cilët promovojnë vlera të larta artistike! Evenimentet janë të shumta, duke filluar me kremtimin e festave, festivalin e këngës qytetare, etj!

Image

Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?

Naziktere Iseini: Çështja se ku qëndron muzika shqipe sot është një çështje mjaft e diskutueshme, pasi çdo artist ka shijen e vet dhe promovon artin ashtu si mendon vetë! Këtu hasim shumë peripeti, duke marrë parasysh përzierjen e muzikës, e cila nuk është e jona, duke futur dhe kombinuar elementë që muzika shqipe nuk i posedon! Çfarë është e huaja, pra nuk bëhet e jona! Po ja, në kohët e fundit kjo mënyrë e realizimit të këngëve promovohet shumë! Arti është i bukur në çdo gjuhë, por unë kisha thënë se kënga shqipe është aq e bukur sa nuk ka nevojë për asnjë laramani tjetër!

Image

Nga pikpamja e juaj Viti i Ri më mirë festohet sot apo vite më parë?

Naziktere Iseini: Sa i përket kremtimit të ndërrimit të motmoteve, kjo procedurë gati se bëhet njëlloj si disa vite më parë!

Image

Për fund, cila është motoja që përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Naziktere Iseini: Së pari, uroj që të gjithë të kemi shëndetin! Motoja ime gjithmonë ka qenë dhe do të ngelet përpjekja dhe puna! Me punë dhe përkushtim arrihet gjithçka! Më në fund, uroj që ky vit të jetë më i mirë, më i bollshëm, më me perspektivë për të gjithë shqiptarët, kudo që janë! Gëzuar!

Intervistoi: Armend Preteni

(Kosova Sot Online)