Arbenita Gashi: Përqafoni ndryshimin, jetoni me pasion dhe shpërndani dashuri

  • A.P /
  • 02 January 2025 - 14:31
Arbenita Gashi: Përqafoni ndryshimin, jetoni me pasion dhe shpërndani dashuri

INTERVISTË ME KËNGËTAREN ARBENITA GASHI

Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtarja e njohur Arbenita Gashi, ka folur me dashuri dhe mall për periudhën e fëmijërisë së saj, duke u fokusuar te mbështetja që ka marrë nga familja, përfshirë gjyshërit dhe prindërit.

Image

 

Ajo ka folur me emocion për lidhjen që ka me publikun gjatë performancave live, duke theksuar se duartrokitjet e publikut i japin forcë dhe energji.

 

Në vijim mund ta lexoni intervistën e plotë dhe të kuptoni më shumë gjëra rreth jetës dhe karrierës së këngëtares Arbenita Gashi.

Dy këngët e fundit që keni publikuar me videoklip janë "Sa të du" dhe “Ani bre ani”, kush janë autorët dhe sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngës në tërësi?

Arbenita Gashi: Po, është e vërtetë. Së fundmi kam publikuar disa këngë, ndër të tjera edhe "Ani bre Ani" dhe "Sa te du", të cilat po pëlqehen nga publiku. Të dyja janë realizuar me videoklip dhe jam e lumtur me realizimin final, pasi ka qenë ajo që kam dashur që në fillim.

Image

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Arbenita Gashi: Kam shumë nostalgji për fëmijërinë time dhe për vendin ku u linda dhe u rrita, në një ambient të ngrohtë dhe me dashuri të veçantë nga gjyshërit, të cilët tani nuk jetojnë më, nga prindërit e mi dhe i gjithë farefisi. Ishte një periudhë e veçantë, sepse isha vajza e vetme dhe e vogël e familjes, dhe në fëmijërinë time vendlindja ime ishte plot me njerëz, shumica e të cilëve tani janë integruar diku tjetër. Këndoja me shumë vullnet dhe të gjithë më mbështesnin, duke më inkurajuar për talentin tim. Kam qenë një fëmijë shumë aktiv dhe i dashur, por shpresat i kisha të vogla, duke ëndërruar që një ditë zëri im do të dëgjohej nga të tjerët. Ajo kohë më mungon shumë. Edhe sot, ende shoh ëndrra që më çojnë aty.

Image

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Arbenita Gashi: Provokimi në skenë nuk është i nevojshëm; ajo që duhet të triumfojë është zëri. Unë gjithmonë flas nga vetja, sepse detyra ime është të këndoj bukur, dhe për këtë arsye quhem këngëtare.

Image

A ka ndonjë moment që dëshironi ta ndryshonit në jetën dhe karrierën tuaj?

Arbenita Gashi: Gjatë jetës që kam jetuar dhe karrierës time, nuk do të ndryshoja asgjë, sepse çdo gjë që ka ndodhur në jetë për mua ka qenë një mësim, që më ka çuar sot në gëzim, lumturi dhe sukses.

Image

Si e përjetoni reagimin e publikut kur performoni live?

Arbenita Gashi: Unë jam një person shumë emocional, dhe ka raste kur kam qarë në skenë. Duartrokitjet e publikut më japin energji dhe më shtojnë jetën. Nuk ka ndjenjë më të mirë për një artist/e sesa të shohësh reagimet pozitive të njerëzve që janë përballë teje dhe që duan të dëgjojnë zërin tënd.

Image

A ka ndonjë artist me të cilin dëshironi të bashkëpunoni, por ende nuk keni pasur mundësinë?

Arbenita Gashi: Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë për të bashkëpunuar me dikë, por nëse në të ardhmen mund të përshtatem me dikë për një këngë duet, pse jo? Jam gjithmonë e hapur për mundësi të reja dhe besoj se një bashkëpunim i tillë mund të sjellë diçka të veçantë.

Image

Cila ka qenë përvoja më interesante që keni përjetuar gjatë udhëtimeve si këngëtare?

Arbenita Gashi: Një nga përvojat më interesante gjatë karrierës time të këndimit ka qenë kur kam pasur mundësinë të performoj para një audience të madhe, në një skenë prestigjioze, ku nuk mund të besoja se po qëndroja aty. Atmosfera ishte elektrizuese dhe ndihesha si në një ëndërr, duke shijuar çdo moment të lidhur me muzikën dhe publikun. Ajo ndjenjë kur gjithçka që ndodhi përreth meje ishte përqendruar vetëm tek muzika, ishte një përvojë që do ta mbaj mend gjithmonë.

Image

Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?

Arbenita Gashi: Në përmbledhje, muzika shqipe është në një moment kyç të zhvillimit të saj. Ka shumë gjëra për t’u krenuar, por gjithashtu ka mundësi për t’u rritur dhe zhvilluar edhe më shumë. Ajo ka nevojë për një balancë mes ruajtjes së traditës dhe eksperimentimit të vazhdueshëm me teknologjitë dhe influencat e reja globale.

Image

Nga pikpamja e juaj Viti i Ri më mirë festohet sot apo vite më parë?

Arbenita Gashi: Edhe atëherë kemi festuar mirë Vitin e Ri, por edhe sot festohet mirë. Secila kohë ka ëmbëlsinë e vet. Nëse dikur kam festuar si fëmijë me familjen, sot festoj si prind, bashkë me fëmijët dhe bashkëshortin. Koha është si një lumë që rrjedh pa ndalur; gjithçka kalon dhe ndryshon, por çdo valë ka dritën e saj, çdo pasqyrë ka bukurinë e vet. Secila periudhë e jetës është një portret i pikturuar me ngjyrat e momentit, dhe çdo etapë sjell një peizazh të ri, të ndritur nga dielli i vet.

Image

Për fund, cila është motoja që përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Arbenita Gashi: Motoja ime për jetën dhe shoqërinë është: “Përqafoni ndryshimin, jetoni me pasion dhe shpërndani dashuri.” Ruajeni shëndetin në radhë të parë, luftoni për vetveten dhe duajeni veten. Mos u dëshpëroni, sepse edhe momentet e vështira të jetës janë mësime për të ardhmen. Mos i lëndoni të tjerët; nëse nuk mund t’i bëni mirë, të paktën mos u bëni keq. Flisni për atë që dëshironi të jeni, sepse asgjë nuk është e pamundur në jetë.

Intervistoi: Armend Preteni

(Kosova Sot Online)