Brigitte Bardo po kalon një periudhë të vështirë

  • A.P /
  • 18 October 2025 - 10:21
Brigitte Bardo po kalon një periudhë të vështirë

Brigitte Bardot, një nga ikonat më të mëdha të kinemasë franceze dhe një seks simbol i viteve ’60, po kalon një periudhë të vështirë shëndetësore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas mediave franceze, 91-vjeçarja është shtruar prej disa javësh në spitalin Saint-Jean në Toulon, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për një sëmundje serioze.

 

Megjithatë, natyra e saktë e gjendjes së saj nuk është bërë publike, pasi familja ka zgjedhur ta mbajë të fshehtë këtë moment delikat. Lajmi ka shkaktuar shqetësim të madh në Francë, ku Bardot vazhdon të mbetet një figurë e dashur dhe e komentuar, pavarësisht se është larguar nga skena filmike prej më shumë se gjysmë shekulli.

Një jetë mes kinemasë dhe aktivizmit

Pas një karriere të shkëlqyer në vitet ’50 dhe ’60, Brigitte Bardot vendosi të tërhiqej nga kinemaja në kulmin e famës së saj dhe iu përkushtua mbrojtjes së kafshëve. Përmes Fondacionit Brigitte Bardot, ajo është bërë një nga zërat më të fortë në botë për të drejtat dhe mirëqenien e kafshëve.

Aktorja e famshme jeton prej vitesh në Saint-Tropez, në një vilë ku kujdeset për qentë, macet dhe dhitë, të cilat i konsideron si pjesë të pandashme të jetës së saj.

Probleme të mëparshme shëndetësore

Ky nuk është episodi i parë shëndetësor për Bardot. Në korrik 2023, ajo pësoi vështirësi në frymëmarrje për shkak të temperaturave të larta.

Bashkëshorti i saj, Bernard d’Ormale, atëherë deklaroi se “ishte një moment shqetësimi respirator, më i rëndë se zakonisht, por pa pasoja fatale.”

Një figurë rebele dhe e pavarur

E njohur për personalitetin e saj të fortë, Bardot ka qenë gjithmonë një figurë rebele dhe e drejtpërdrejtë. Në vitin 1992, ajo u martua me Bernard d’Ormale, biznesmen dhe politikan i djathtë, i njohur për lidhjet me Frontin Kombëtar të Jean-Marie Le Pen.

Çifti ndan një pasion të përbashkët për mbrojtjen e kafshëve.

Bardot, gjithashtu, nuk i ka fshehur asnjëherë qëndrimet e saj politike të krahut të djathtë, duke mbështetur hapur Marine Le Pen. Megjithatë, pavarësisht polemikave, ajo ka mbetur një zë i lirë, shpesh duke sfiduar normat dhe tabutë shoqërore.

“Unë nuk jam eremite! Lexoj gazetat, shikoj televizion, qëndroj vigjilente dhe e vëzhgoj këtë botë duke u shndërruar në një cirk. Mënyra se si e trajtojmë planetin është e neveritshme: ngrohja globale, përmbytjet, demografia shpërthyese…” – u shpreh ajo kohët e fundit në një intervistë.

Trashëgimia e një ylli të pavdekshëm

Edhe pse larg kinemasë që prej vitit 1974, Brigitte Bardot mbetet një nga figurat më të fuqishme dhe më të njohura të kulturës franceze. Me rolet e saj ajo ka shënuar një epokë të tërë të kinemasë europiane dhe është kthyer në simbol të lirisë, feminitetit dhe rebelimit.

Sot, teksa fansat dhe opinioni publik presin me shqetësim lajme të reja për shëndetin e saj, Brigitte Bardot vazhdon të mishërojë një jetë të jetuar sipas rregullave të saj – larg kinemasë, por gjithmonë në qendër të vëmendjes. 

Image

(Kosova Sot Online)