Leonardo DiCaprio rrëfen strategjinë e tij

  • A.P /
  • 11 December 2025 - 09:52
Leonardo DiCaprio rrëfen strategjinë e tij

Leonardo DiCaprio është prej dekadash një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it, por ndryshe nga shumë kolegë të tij, aktori ka zgjedhur një rrugë të pazakontë për të ruajtur suksesin: zhdukjen periodike nga vëmendja publike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Në një intervistë të fundit për kopertinën e revistës Time, ku u shpall edhe “Artisti i Vitit 2025”, DiCaprio tregoi se qëllimisht mban një profil të ulët, për të mos “lodhur” publikun me praninë e tij të vazhdueshme.
“Është një ekuilibër që e kam menaxhuar gjatë gjithë jetës sime të rritur dhe ende nuk ndihem ekspert,” u shpreh aktori 51-vjeçar. “Filozofia ime është e thjeshtë: dil në publik vetëm kur ke diçka për të thënë ose për të treguar. Përndryshe, zhduku sa më shumë që të jetë e mundur.”
Ylli i “Titanikut” pranoi se pas suksesit gjigant të filmit në vitin 1997, nisi të mendojë seriozisht për jetëgjatësinë e karrierës së tij. “Mendoja: ‘Si mund të kem një karrierë të gjatë?’ Sepse e dua atë që bëj dhe mënyra më e mirë për ta mbrojtur është të mos jem gjithmonë para syve të njerëzve,” tha aktori i “The Wolf of Wall Street”.

DiCaprio është i njohur edhe për ruajtjen fanatike të jetës private. Aktualisht, ai është në një lidhje me modelen Vittoria Ceretti, 27 vjeç, me të cilën u lidh për herë të parë në vitin 2023. Dyshja ndezi thashethemet pasi u panë të përqafuar në një klub në Spanjë, ndërsa më vonë u raportua se marrëdhënia po bëhej gjithnjë e më serioze.

Megjithatë, aktori fitues i Oscarit nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për lidhjen, duke vijuar linjën e tij të distancës nga ekspozimi personal. Më herët, DiCaprio ka qenë në lidhje edhe me emra të njohur si Gigi Hadid dhe Camila Morrone.

Pavarësisht moshës, aktori ka deklaruar se ndihet ende i ri dhe se zgjedhjet e tij personale janë pjesë e një stili jetese që e ndihmon të qëndrojë energjik, si në jetë, ashtu edhe në karrierë.
Në një industri ku ekspozimi është gjithçka, Leonardo DiCaprio duket se ka zbuluar një sekret të rrallë: ndonjëherë, për të mbetur magjik, duhet thjesht të mos jesh gjithmonë i pranishëm.

Image


(Kosova Sot Online)