Kjo është molla e sherrit në familjen e famshme Beckham

  • A.P /
  • 22 January 2026 - 09:03
Kjo është molla e sherrit në familjen e famshme Beckham

Nicola Peltz Beckham, aktore, shkrimtare, regjisore dhe aktiviste për të drejtat e kafshëve, është rikthyer në qendër të vëmendjes mediatike pas një postimi të fortë në rrjetet sociale nga bashkëshorti i saj, Brooklyn Beckham, i cili kritikoi publikisht prindërit e tij, Sir David dhe Victoria Beckham, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

 

31-vjeçarja, e cila e përshkruan veten në Instagram si “Aktore. Shkrimtare. Regjisore. Dhe aktiviste për qentë”, ka qenë shpesh objekt interesimi publik që nga martesa e saj me djalin e madh të familjes Beckham në vitin 2022. Megjithatë, ajo ka ndërtuar prej vitesh një profil të vetin në industrinë e filmit dhe modës.

Nicola është vajza e miliarderit dhe biznesmenit amerikan Nelson Peltz dhe ish-modeles Claudia Hefner. Ajo u rrit në Nju Jork, në një familje me tetë fëmijë, dhe ka treguar se fillimisht prindërit e saj nuk e mbështetën dëshirën për t’u bërë aktore. Megjithatë, ajo debutoi herët në skenë dhe film, duke ndërtuar gradualisht karrierën e saj.

Publiku e njeh për rolet në filma dhe seriale si The Last Airbender (2010), Bates Motel (2013), Transformers: Age of Extinction (2014) dhe When the Street Lights Go Out (2017). Projekti i saj i radhës është filmi i pavarur Prima, ku luan rolin kryesor të një balerine dhe ku skenari bazohet në një histori të krijuar nga vetë ajo.

Në vitin 2024, Peltz Beckham bëri debutimin e saj si regjisore me filmin Lola, të cilin edhe e shkroi dhe interpretoi. Filmi trajton historinë e një gruaje të re që përpiqet të shpëtojë vëllain e saj nga një mjedis familjar toksik. Edhe pse filmi mori kritika të përziera, Nicola ka theksuar se puna për të zgjati gjashtë vjet, duke reaguar ndaj kritikave për privilegjin e saj.

Përtej aktrimit, ajo është e njohur për aktivizmin në mbrojtje të kafshëve dhe në vitin 2022 u nderua me një çmim nga PETA për inkurajimin e adoptimit dhe kujdesit për kafshët.

Së fundmi, vëmendja është zhvendosur te marrëdhëniet familjare. Nicola ka folur shpesh për rëndësinë e familjes dhe ka shprehur publikisht dashuri si për prindërit e saj, ashtu edhe për familjen Beckham. Megjithatë, mediat raportojnë se ajo ka fshirë nga profili i saj një postim urimi për 50-vjetorin e Victoria Beckham, në një kohë kur marrëdhëniet mes Brooklyn-it dhe prindërve të tij duken të tensionuara.

Grindja familjare u bë edhe më publike pasi Brooklyn Beckham deklaroi në Instagram se nuk kishte dëshirë për pajtim me familjen e tij në këtë fazë, duke nxitur spekulime të mëtejshme mbi përçarjen brenda një prej familjeve më të famshme në botën e showbiz-it.

Image

(Kosova Sot Online)