Gjykata shfuqizon vendimin e Trumpit për bllokimin e shkarkimit të TikTok-ut

  • E.K /
  • 28 shtator 2020 - 09:27
Gjykata shfuqizon vendimin e Trumpit për bllokimin e shkarkimit të TikTok-ut

Një gjykatë amerikane e ka bllokuar përkohësisht urdhrin e administratës së Trumpit për bllokimin e mundësisë së shkarkimit të aplikacionit TikTok.

Në vendimin e marrë nga gjykatësi Carl Nichols në Uashington të dielën vonë thuhet, megjithatë, se tash për tash nuk do të bllokohen kufizimet që pritet të hyjnë në fuqi më 12 nëntor në lidhje me rregullimet teknike dhe tregtare, të cilat janë jetike për funksionimin e duhur të aplikacionit.

Departamenti i Tregtisë tha përmes një deklarate se do t’i përmbahet vendimit të gjykatës dhe ka marrë hapa të menjëhershëm që të bëjë një gjë të tillë, shkruan Reuters.

Ky vendim erdhi në kohën kur po vazhdojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për marrjen e një pjese të aksioneve nga kompanitë amerikane, gjë që do të ndikonte në shmangien e bllokimit të aplikacionit.

Arritja e marrëveshjes po pengohet nga mungesa e pajtimit për atë se kush duhet ta mbajë shumicën e aksioneve. Kompania ByteDance gjithashtu ka thënë se marrëveshja duhet të miratohet edhe nga Kina.

(Kosova Sot Online)