Paralajmëron analisti: LDK drejt një ndarjeje fatale pasi janë shumë klane që veprojnë brenda partisë

Paralajmëron analisti: LDK drejt një ndarjeje fatale pasi janë shumë klane që veprojnë brenda partisë
Paralajmëron analisti: LDK drejt një ndarjeje fatale pasi janë shumë klane që veprojnë brenda partisë

Florim Zeqa

  • 27 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Kërkesat e degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut jo vetëm që janë të vonuara, ato me veprimet e tyre kanë nxitur debat jo vetëm brenda partisë, por edhe mes qytetarëve dhe mërgimtarëve!

 

-Humbja në një palë zgjedhje nuk është motiv për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, por kur humbjet ngarendin njëra pas tjetrës, atëherë kërkesat e elektoratit për dorëheqje janë të drejta dhe të arsyeshme.

Dihet mirëfilli se, prej ardhjes së Lumir Abdixhikut në krye të partisë, LDK-ja i pësoi tri humbje të njëpasnjëshme në nivelin qendror, duke mbetur e pozicionuar si partia e tretë në vend! Manovra politike e Lumir Abdixhikut për kthimin e aktit të dorëheqjes në mocion votëbesimi pas humbjes në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar doli të jetë një gabim fatal për të ardhmen e tij politike!

Më i mirë do të ishte largimi i paralajmëruar vitin e kaluar nga kreu i LDK-së, sesa mbijetesa e "Pirros" në të ashtuquajturin "Kuvend i Punës", më 31 janar të këtij viti!

Tendenca e hapur për t'u rezistuar kërkesave për dorëheqje jo vetëm që nuk e forcon, por e dobëson pozitën e Lumir Abdixhikut brenda LDK-së.

Fakti që ai refuzon dorëheqjen dhe, në vend të kësaj, kërkon dorëheqjen e kryetarëve të degëve në Prishtinë, Pejë dhe Lipjan, do ta dërgojë LDK-në drejt një ndarjeje të re dhe fatale për këtë subjekt politik.

Në anën tjetër, kërkesat e degëve për dorëheqjen e Lumirit, përveçse të vonuara, janë edhe me prapavijë politike!

Vërehet qartë se pas këtyre kërkesave qëndron Vjosa Osmani, e cila, pas dështimit të rizgjedhjes për mandatin e dytë si presidente, synon katapultimin në krye të LDK-së!

Fakti që Lumir Abdixhiku flet për "sabotim të thellë" dhe "projekte për ndarjen e LDK-së" tregon se vërtet kemi të bëjmë me një krizë të brendshme serioze në parti, e cila mund ta vërë në pikëpyetje të ardhmen e LDK-së në skenën parlamentare!

Ndarjet eventuale mund ta kthejnë LDK-në në nivelet e pragut zgjedhor!

E thashë ndarjet, për faktin se janë shumë klane dhe grupe interesi që veprojnë brenda LDK-së, të cilat nuk e kanë hallin e LDK-së dhe as të shtetit të Kosovës, por se si të arrijnë te grazhdi i pushtetit!

Pas kërkesave të tri degëve, reagimi i ngutshëm dhe i papjekur i Abdixhikut vetëm sa do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e pakënaqësisë edhe në degët e tjera, në elektorat në veçanti!

Përderisa filozofia politike rugoviane do të mbetet vetëm në mendjet dhe zemrat e atyre që jetuan në epokën e Ibrahim Rugovës.

Aktualisht, në strukturat klanore të LDK-së, mbi 90% e tyre janë antirugovistë të përbetuar, figura sorosiane, të kontrabanduara dhe të ricikluara, të cilat e kanë luftuar Ibrahim Rugovën në kohën e tij, kurse sot çirren se po i dalin në mbrojtje rugovizmit, duke e kërkuar dorëheqjen e Lumirit!

Asnjëherë nuk e kam besuar që vjen dita të ndiej dhimbshuri për Lumirin, i cili pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar e ka humbur besimin e elektoratit të LDK-së!

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë që ceka më sipër, e mori afër vetes Vjosa Osmanin, me qëllim të forcimit të pozitës së tij në LDK, por kjo iu kthye bumerang Lumirit fatkeq!

Kurse slogani zgjedhor i bashkimit të së djathtës iu kthye në zhgënjim të madh! "Bashkimi i Madh" iu kthye në vendnumërim minimal.

Mbase më shumë e dëmtoi sesa e ndihmoi Vjosa Osmani në zgjedhjet e 7 qershorit!

Ndodhi kështu për faktin se elektorati i LDK-së ende nuk është shëruar nga plagët që i shkaktoi Vjosa Osmani pesë vjet më parë!

Në situatën e krijuar, gjasat për ta shpëtuar LDK-në nga ndarja janë të vogla, por enigma mbetet: në dorën e kujt po mbetet?!

Nëse LDK-ja mbetet në dorën e klanorëve dhe grupeve të interesit, përveç ndarjes, e rrezikon shuarjen totale si subjekt politik!

LDK-në mund ta shpëtojë vetëm një profil i ri i politikanit modern, i një veprimtari të orëve të para, jashtë klaneve dhe grupeve të interesit, që e do me shpirt e zemër atdheun dhe popullin që i takon, që e mbron me fanatizëm rugovizmin si filozofi politike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".